Rikthehet Festivali i të Drejtave të Njeriut, tema 'Vepro gjelbër tani dhe në të ardhmen'

Rikthehet Festivali Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në edicionin e 19-të. Tematika qendrore e produksioneve filmike është përzgjedhur “Vepro gjelbër tani dhe në të ardhmen”. Drejtori i festivalit Kujtim Çashku tha se festivali e filmat ngrenë një sërë pyetjesh, për të cilat shoqëria shqiptare nuk është akoma e përgatitur.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut vjen në edicionin e tij të 19-të  te “Marubi”. Tema qëndrore  e këtij viti është përzgjedhur “Vepro gjelbër tani dhe në të ardhmen” dhe i kushtohet mjedisit e mënyrës se si ka vepruar njeriu në të. Drejtori i festivalit, Kujtim Çashku, shpjegoi arsyen e përzgjedhjes së kësaj teme.

Organizatorëve u kanë mbërritur 3500 aplikime, kurse festivali ka përzgjedhur 41 filma, të cilët do të shfaqen te Akademia “Marubi” në Akademinë e Sigurisë, në COD te kinemaja “Maks Velo” në Laprakë etj. Çështje, ndodhitë e luftrat që kanë pushtuar botën në Gaza, Ukrainë e më tej do të jenë pjesë e qenësishme në filmave “ Të përgjuarit” dhe “Bliks not Bombs”.

Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut synon t’i krijojë njeriut jo vetëm qëndrimin pranë së vërtetës, por ti dhurojë këto ditë edhe një shije të mirë të produksioneve kinematografike.