SYRI TV/ Fjalimi i parë i Belerit në Parlamentin Europian: Reforma në drejtësi u kthye në bombë totalitare

Eurodeputeti Fredi Beleri mbajti fjalimin e tij të parë në Parlamentin Evropian, duke theksuar se është përfaqësues i një pakice greke, i lindur në Shqipëri, një shtet që aspiron të bashkohet me BE-në. Ai kritikoi Shqipërinë për largimin nga parimet evropiane dhe akuzoi se reformat e financuara nga BE mund të shndërrohen në "bomba totalitare". Beleri përmendi gjithashtu periudhën e tij 16-mujore në burg dhe shprehu mirënjohje për vendosmërinë e Parlamentit Evropian në çështjen e tij.

Syri tv

Eurodeputeti Fredi Beleri ka mbajtur fjalimin e parë si deputet në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Ai tha se në PE është si eurodeputet grek i pakicës, i ardhur nga një vend anëtar i BE-së, por i lindur në një shtet që aspiron familjen evropiane duke ju referuar Shqipërisë, e cila sipas tij vazhdimisht po u largohet parimeve të saj. Nga foltorja e PE Beleri akuzoi se reformat  e financuara nga BE mund të kthehen lehtësisht një bomba totalitare.


“Me emocion të madh i drejtohem për herë të parë Parlamentit tonë Europian, një institucion, vendosmëria e të cilit u tregua kur unë dola nga burgu, ku qëndrova për 16 muaj.  Sot, unë jam këtu si një eurodeputet grek i pakicës, i ardhur nga një vend anëtar i BE-së, por i lindur në një vend që aspiron t’i bashkohet familjes evropiane. Por, për fat të keq, ky vend po largohet vazhdimisht nga acquis evropiane, në vend që të afrohet me të. Situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen lehtësisht në bomba totalitare për themelet e një shteti demokratik. Kjo ndodhi edhe me reformën në drejtësi të financuar edhe nga burimet europiane”.

Fjala e Belerit në Parlamentin Europian kishte si begraund burgosjen e tij, pasi ai vuajti 16 muaj heqje lirien në Shqipëri. Beleri ishte kandidat i opozitës shqiptare për Kryetar Bashkie në Himarë, ndërsa u arrestua më 13 maj të vitit 2023, nën akuzën e blerjes së votave. Më 14 maj Fredi Beleri u zgjodh kryebashkiak i Himarës, ndërsa kalvari i tij gjyqësor vijoi për 16 muaj ku ai kërkoi të betohej si Kryetar Bashkie. Por e drejta e tij iu mohua nga gjykatat shqiptare, derisa kjo bashki u dërgua në zgjedhje të parakohshme dhe në krye të Himarës tani është një kryetar Socialist.