Erion Veliaj i hap rrugë ndërtimit të kullave në ambientet sportive

Nga Rezarta Çaushaj-Erblin Vukaj-Shteg.org

Këshilli Bashkiak i Tiranës nëpërmjet një procedure të kontestuar nga opozita i ka hapur rrugën projekteve zhvillimore për stadiumin ‘Selman Stërmasi’ dhe pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’, nga të paktat zona të paprekura deri më tani nga ndërtimet në qendër të Tiranës.

Projektet e paralajmëruara nga Kryeministri Rama që në vitin 2016 kanë nisur të zyrtarizohen nga Bashkia e Tiranës. Duke shfrytëzuar votat e anëtarëve të majtë të Këshillit Bashkiak, Veliaj siguroi miratimin një procedure që në dukje nuk ka të bëjë me miratimin e lejeve ndërtimore, por me një punë rutinë të Bashkisë, siç është inventarizimi i pronave përreth ambienteve sportive dhe më pas negocimi me një institucion po në vartësinë e Kryeministrisë, rreth projekteve zhvillimore të zonave sportive.

Dokumentet e siguruara nga SHTEG-u tregojnë manovrat procedurale të Bashkisë së Tiranës dhe planet e saj të biznesit në këto ambiente sportive. Për stadiumin ‘Selman Stërmasi’ duket se janë gati planet për ndërtimin e një qendre multifunksionale përmes një skeme të Partneritetit Publik-Privat, ngjashëm me skemën që solli shembjen e ish-stadiumit ‘Qemal Stafa’ dhe ndërtimin e stadiumit me kullë ‘Arena Kombëtare’.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak anëtarët e majtë votuan propozimin e paraqitur nga Bashkia që i hap rrugën ndërtimeve në këto zona, por përfaqësuesit e së djathtës e konsideruan votimin si të paligjshëm. Sipas tyre, Këshilli Bashkiak nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të marrë vendim pasi të pranishëm në mbledhje nuk ishin 2/3 e 61 anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Mbledhja rutinë që i hap rrugën ndërtimeve

Diku nga mesjava e parë e shtatorit nëpërmjet një e-maili anëtarët e Këshillit Bashkiak u njoftuan për mbledhjen e radhës. Përveç datës së takimit, që ishte vendosur më 9 shtator 2024, e-maili kishte edhe relacionet përkatëse për 17 vendime që duhet të diskutoheshin dhe të miratoheshin në mbledhjen e radhës.

Mes morisë së vendimeve dhe relacioneve qindra faqe, ndodhej dhe projekt-vendimi për ‘Dhënien e pëlqimit për bashkëpunimin dhe negociimin midis Bashkisë Tiranë dhe Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) për projektin e rijetëzimit dhe zhvillimit të stadiumit ‘Selman Stermasi’ nëpërmjet procedurave konkurruese.’

Nëpërmjet një dokumenti 6-faqësh, Bashkia e Tiranës kërkonte autorizimin e Këshillit Bashkiak për të negociuar dhe bashkëpunuar për realizimin e projektit me Korporatën Shqiptare të Investimeve, një shoqëri aksionere e krijuar me një ligj të veçantë të qeverisë Rama në vitin 2019.

Korporata ka qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit përmes identifikimit dhe vënies në efiçencë të aseteve ekonomike shtetërore, strukturimit të projekteve të investimit dhe mobilizimit të kapitalit privat dhe drejtohet aktualisht nga zv.sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona. Por Korporata me vendim të Këshillit të Ministrave mund të marrë rolin e zhvilluesit apo edhe funksione të tjera.

Krahas miratimit të negociatave, Bashkia e Tiranës kërkoi autorizim nga Këshilli Bashkiak për të identifikuar pronat rreth stadiumit që ka në pronësi, të cilat në një moment të dytë pritet t’i kalojnë Korporatës pas miratimit fillimisht në Këshillin Bashkiak e më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Në mbledhjen e së hënës së 9 shtatorit 2024, Kryebashkiaku Veliaj përballë anëtarëve të Këshillit foli për synimet e mira që bashkia kishte për zhvillimin e zonave sportive.

 ‘Duam të ecim me projektin e 100 fushave sportive dhe kemi planifikuar që dy investimet e radhës të jenë stadiumi ‘Selman Stërmasi’ dhe pallati i sportit ‘Asllan Rusi’. Kemi një mundësi për të thënë se përtej bindjeve politike, të bëjmë edhe dy hapësira të reja model, ku ke qejf të shkosh, siç është bërë Arena Kombëtare,’ – u shpreh ai gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Veliaj përdori gjuhë të njëjtë për të përshkruar amortizimin e stadiumeve, siç ka përdorur në të shkuarën për të përligjur shembjen e ish-Teatrit Kombëtar dhe ish- stadiumit ‘Qemal Stafa’, duke i cilësuar si hangarë dhe, pasi shpalosi objektivat e bashkisë, e më pas braktisi mbledhjen për t’i lënë anëtarët të diskutonin e të votonin të 17 propozimet e paraqitura nga Bashkia.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ilda Zhulali, tha për Shteg-un se procesi i vendimmarrjes që i hap rrugën ndërtimeve në zonat sportive, u zhvillua në kushtet e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.

 ‘U bënë pyetje rreth pronësisë, nëse ka pronarë legjitimë trualli, për hartën e zonës, pasi nuk qartësohet nëse bëhet fjalë vetëm për gjurmën e stadiumit apo përfshin edhe fushën sportive, lulishten dhe parkimin; për kontratën e lidhur me klubin sportiv që është ende ne fuqi; çfarë nënkupton ‘rijetëzimi’. Nuk morëm asnjë përgjigje për asnjë nga pyetjet që paraqitëm në lidhje me këtë propozim, as në Komision dhe as gjatë seancës së Këshillit Bashkiak’, – u shpreh Zhulali’.

Gjithsesi, Veliaj arriti të merrte votat e anëtarëve të Këshillit Bashkaik. Shteg-u e pati të pamunduar të vërtetonte se sa anëtarë votuan pro projektit që i hap rrugë ndërtimeve në zonën e stadiumit, por dihet se propozimi u kundërshtua nga anëtarët jo-socialistë të Këshillit, të cilët e braktisën mbledhjen.

Mirela Ruko, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë në Këshillin Bashkiak, tha për Shteg-un se bëhej fjalë për tjetërsim të tejskajshëm të hapësirave publike, të cilat humbasin qëllimin e tyre origjinal në shërbim të publikut, duke u shndërruar në hapësirave komerciale.

 ‘Edhe një herë kemi të bëjmë me vizionin e Erion Veliajt, e Partisë Socialiste për qytetin, që është qyteti me kulla, dhe jo qyteti me shërbime publike të aksesueshme për të gjithë, që janë në harmoni me pjesën tjetër të qytetit,’ theksoi Ruko.

Projektet e e bashkisë

Në thelb projekt-vendimi i miratuar nga Këshilli Bashkiak i jep dorë të lirë bashkisë të miratojë çfarëdolloj projekti për zhvillimin e zonave sportive. Sipas relacionit, bashkia argumentoi nismën e ndërmarrë prej saj me nevojën për modernizimin e hapësirave të amortizuara të dy stadiumeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për publikun.

Në çdo rast aty paralajmërohet qartazi objektivi për kontraktimin e investitorëve privatë ‘për realizimin e projektit të investimit pa shpenzime nga ana e Bashkisë Tiranë, por me përfitime të shumta ekonomike dhe sociale për komunitetin, bazuar në një model biznesi ‘win-win’ (me përfitim për të gjitha palët).

Modeli të cilit i referohet relacioni, me gjasa, do të jetë i ngjashëm me rastin e stadiumit ‘Qemal Stafa’, ku sot pervec fushës së futbollit kemi një kullë dhe zona komerciale.

Sipas të dhënave të deklaruara nga Federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi ka kushtuar 75 milionë euro, nga të cilat 65 milionë nga kompania ‘Albstar’, ndërsa 10 milionë euro nga Federata. Në këmbim, kompania private ka përfituar 20 mijë katrorë mjedise tregtare në trupin e stadiumit dhe një kullë 24-katëshe, ndërsa federata përfiton stadiumin dhe 4 mijë metra katrorë zyra.

Në relacion është e paqartë ku e ka zanafillën plani i zhvillimit të qendrave sportive. Një pjesë e dokumentit tregon se ato janë shënjestruar nga Korporata e Investimeve Shqiptare në kuadër të programit ‘Zhvillimi dhe Menaxhimi i Godinave Shtetërore’ pas një studimi paravizibiliteti për identifikimin e godinave shtetërore me potencial zhvillimi, por që shfaqin shenja amortizimi e infrastrukture të vjetruar. Diku tjetër në relacion thuhet se ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit në Bashkinë Tiranë, e cila ka rekomanduar ambientet e dy qendrave sportive tek Korporata e Investimeve pas një kërkese të kësaj të fundit për të identifikuar godina të amortizuara me potencial zhvillimi në Tiranë.

As Bashkia dhe as Korporata e Investimeve Shqiptare nuk iu përgjigjën pyetjeve të ngritura nga Shteg-u, por shpjegimet e relacionit përkojnë me një projekt të vjetër të kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në qershor 2016, gjatë kohës që stadiumi ‘Qemal Stafa’ po shembej, kryeministri Rama deklaroi se Asllan Rusi ‘do të bëhet nga e para, është sot totalisht i amortizuar.’

Ndërkohë që më herët, më 3 shkurt 2016, Kryeministri kishte firmosur kalimin e pronësisë së stadiumit nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit drejt Bashkisë Tiranë, duke ulur edhe vlerën e tij nga një stadium i lojërave kombëtare në një stadium lokal.

Po ashtu, në fund të dhjetorit 2022, i ftuar në emisionin ‘Spotlight’ të Alban Dudushit në televizionin ‘Vizion Plus’, Rama foli për planet e qeverisë për të përsëritur suksesin e stadiumit ‘Arena’ te stadiumi ‘Selman Stermasi. ‘Do të hapim një garë dhe një thirrje për ta transformuar të gjithë atë zonë, që mund t’i japë Tiranës së re një perspektivë ekonomike të jashtëzakonshme, siç është bërë për njësinë 2 ‘Arena Kombëtare’ dhe duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe me pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’, – deklaroi Rama.

Në të njëjtën linjë me shefin e qeverisë ishte edhe kryebashkiaku Veliaj për këtë çështje. Në një takim me banorët e Farkës gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, më 6 maj 2023, ai foli për planet e bashkisë rreth ambienteve sportive.

 ‘Ne duam të vazhdojmë me disa investime të tjera bashkë me qeverinë dhe prandaj është e rëndësishme që të punojmë me qeverinë. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë te stadiumi ‘Selman Stërmasi’ siç kemi bërë tek ‘Arena Kombëtare’. Investimi tjetër do të jetë Pallati i ri i Sportit ‘Asllan Rusi’, – deklaroi Veliaj.

Ndërsa drejtuesit kryesorë të qeverisë dhe pushtetit vendor i shohin ndërtimet si projekte që zhvillojnë zonën, krejt të kundërtën mendojnë ekspertët.

Arkitektja Doriana Musai, njëkohësisht zëvendësdekane në Fakultetin e Planifikimit, Mjedisit dhe Zhvillimit Urban në Universitetin Polis, e konsideroi përsëritje të gabimeve të bëra me stadiumin kombëtar.

‘Këto projekte janë shkëlqim i rremë i një zhvillimi ekonomik të cilin e shohin vetëm ata që i ideojnë, miratojnë dhe investojnë këto prona publike. Publiku merr në këmbim privatizim të pronës së përbashkët, zhdukje të hapësirës dhe ndërhyrje arbitrare në formësimin e jetës së tyre, duke injoruar nevojat e tyre dhe nga ana tjetër duke i përjashtuar nga vendimarrja’, – komentoi Musai për Shteg-un.

Ndërkohë, pretendimet e ngritura si për të mirat që projekti do të prodhojë, si për gjendjen e amortizuar të stadiumit, si për nevojën e ndërtimit përmes një skeme PPP, nuk mbështeten në një analizë kosto-përfitim apo në ndonjë akt-ekspertimi. Në fakt, ndonëse i amortizuar, stadiumi ka ekzistuar larg gjendjes pasive vitin e fundit. I pagëzuar me emrin Spectapolis, aty janë mbajtur pa pushim koncerte me disa këngëtarë të njohur në shkallë botërore, ku ka pasur pjesëmarrje shumë të lartë.

Një tjetër pikëpyetje lidhet me faktin se, ndonëse formalisht stadiumi ‘Selman Stërmasi’ gjendet në pronësinë e Bashkisë Tiranë, tagrat për gëzimin e përdorimin e tij si pasuri e paluajtshme i kanë kaluar Klubit të Futbollit Tirana sh.a. përmes një kontratë huapërdorje me kohëzgjatje 18 vjet, lidhur më datë 17.05.2015. Mbetet e paqartë se si do të adresohet kjo çështje, po aq saç është i paqartë fati i investimeve dhe mirëmbajtjes së stadiumit, të cilat datojnë prej vitit 2014. Me anë të një postimi të datës 15 prill 2015 në rrjetin social ‘Facebook’ KF Tirana njoftonte se stadiumi i ishte nënshtruar një rikonstruksioni të plotë të nisur në nëntor 2014.

‘Impianti në qendër të kryeqytetit është kthyer në një kantier ndërtimi dhe shumë shpejt pritet që rrënojës së vjetër t’i zërë vendin një stadium i ri modern dhe brenda të gjitha standardeve të UEFA-s’, shkruhet në postim.

Premtimet e Erion Veliajt

Në fushatën zgjedhore të 2015-s në cilësinë e kandidatit të së majtës për kryetar bashkie, Erion Veliaj vizitoi ambient e sportklub Tiranës. Gjatë takimit që pati me administratorin Refik Halili, Veliaj premtoi se asetet e stadiumit do t’i riktheheshin Klubit Tirana dhe se si kryebashkiak nuk do të rinovonte asnjë kontratë me investuesit privatë që ‘hiqnin copa, hiqnin llokma nga asetet e Klubit për t’ia çuar palëve të treta’.

Mbi planin e rijetëzimit të bashkisë për stadiumin, drejtuesit e KF Tirana nuk dhanë asnjë koment deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, por projekti u mbështet publikisht nga Marina Goldi Halili, anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Klubit.

‘Do të ishte mirë që të kishte një plan për rijetëzimin e stadiumit ‘Selman Stërmasi’ dhe se është koha për një impiant të dytë në kryeqytet, pas Arenës Kombëtare- deklaroi Halili për emisionin Ora Sport, në televizionin Ora News.

Ndërkohë, vetë Klubi Tirana i prezantoi bashkisë një plan rijetëzimi në 2020-n. Projekti i cili rrodhi në media 5 vjet më parë, ngelet enigmë. I pagëzuar si stadiumi Panorama Sport dhe i përfolur se do të ndërtohej nga arkitekt holandez, projekti do të kushtonte 40 milionë euro. Pjesë e projektit ishte edhe krijimi i hapësirave për dyqane e zyra për përdorim nga bizneset.

‘Klubi i Futbollit Tirana është një shoqëri aksionere e krijuar në vitin 2011 nga Bashkia Tiranë.

Vlerësimi i aseteve dhe markës së klubit atëherë e çmoi rreth 50 milionë euro, ku asetet më të vlefshme ishin 4.2 hektarë truall të stadiumit ‘Selman Stërmasi’, fushës pranë tij dhe kompleksit stërvitor ‘Skënder Halili’.

Në këtë vlerësim nuk përfshiheshin fushat në zonën e ‘Ali Demit’ të cilat ishin pronë e Bashkisë Tiranë me funksion aktivitete sportive.

Në vitin 2014, Bashkia e Tiranës i njohu Refik Halilit, për kontributin e tij si sponsorizues i vazhdueshëm, 66% të aksioneve të klubit. Me një vendim të datës 15 shtator 2014 u përcaktua që borxhet e akumuluara do të shlyheshin proporcionalisht nga aksionerët sipas kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Ky riorganizim hapi rrugën për investime në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ dhe kompleksin ‘Skënder Halili’, të cilat Bashkia e Tiranës ia dha në përdorim klubit për 18 vite pa pagesë.

Periudha 2014-2016 shënon investimet e fundit në infrastrukturën sportive të KF Tirana, por klubi tashmë nuk luan më në ‘Selman Stërmasi’ për shkak të degradimit të fushës dhe impiantit, duke shtuar kostot e angazhimit në Arenën Kombëtare.

Stadiumi ‘Selman Stërmasi’ u ndërtua mes viteve 1956-1959 në një zonë jugperëndimore të Tiranës e cila atëherë, përveç disa ndërtesave të periudhës italiane, ishte e paurbanizuar. Ndërtimi i tij u bë përmes punës së detyruar të të burgosurve të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.