Frikë nga ndërhyrja e Realit, City ofertë ‘faraonike’ kampionit të Evropës

Manchester City dëshiron me çdo kusht të “blindojë” Rodrin. Sipas “The Athletic”, skuadra britanike po bën një ofertë marramendëse për spanjollin për t’i rinovuar kontratën. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola në çdo rast nuk po përjeton një moment të qetë financiarisht, sepse ndihet e kërcënuar nga ndëshkimi i mundshëm për shkak të thyerje të rregullave të “Fair Play-t Financiar”.

Kontrata e Rodrigos me City-n përfundon në vitin 2027 dhe sipas medias së sipërpërmendur, drejtuesit e klubit po punojnë për rinovimin e kontratës së tij.

Nuk përjashtohet ndërhyrja e Realit të Madridit në negociata, pasi gjigantët e Spanjës besojnë se Rodri në vendlindjen e tij do të gjejë më shumë “diell dhe familjen e tij”.

“Për momentin nuk ka asnjë klub tjetër që mund të nënshkruajë me Rodrin, as për nga financat dhe as për aspiratat sportive, por City gjithmonë ka dyshuar se një ditë Madridi mund ta kërkojë atë. Në një farë mase, ajo ditë ka ardhur”, shkruan “The Athletic”.

Sipas “The Independent”, Madridi po përgatit rinovimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm me Rodrigon (në qendër të projektit), Trent Alexander-Arnold, mik i ngushtë i Bellingham, dhe dy opsione për mbrojtjen si William Saliba ose Cristian Romero.

Rodri është një objektiv prioritar për “Los Blancos”, por siç bën me dije “The Athletic”, duket se City do ta mbajë larg klubin mbretëror me një kontrate të majme për mesfushorin spanjoll.