VIDEO/ PD: Rexh Byberi nga ‘arrest shtëpie’, emëron kryetaren në detyrë të bashkisë Tropojë dhe firmos letra në një bar kafe

Partia Demokratike ka denoncuar sot, se si Rexh Byberi i ndodhur në ‘arrest shtëpie’ nga SPAK, ka vendosur të anashkalojë këshillin bashkiak dhe të emërojë kryetaren e komanduar të bashkisë Tropojë.

Zëdhënësja për antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli gjatë një deklarate në selinë e PD, ka denoncuar edhe një fakt tjetër.

Sipas saj, Byberi ka kthyer në zyrë një bar kafe, ku shkon e firmos letra, shkresa e dokumente.

‘Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi i denoncuar nga Partia Demokratike, dhe nga emisioni investigativ ‘Piranjat’, për një seri shkeljesh me procedurat e prokurimit dhe jo vetëm, sot ndodhet nën masën e sigurisë’arrest shtëpie’.

Byberi akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’ në bashkëpunim, për projekt idenë e ndërtimit të rrugës ‘Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules’, duke sjellë një dëm prej 2.7 milionë euro.

Edhe pse nën masë sigurie, ai vijon pa u shqetësuar me shkeljet e ligjit.

Pasi ju komunikua masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, Z. Byberi duke uzurpuar kompetencat e Këshillit Bashkiak si i vetmi organ i cili kryen komandimet në detyrë në rast vakance të kryetarit, z. Byberi komandoi në detyrën e kryetarit të Bashkisë Tropojë, zëvendëskryetaren, znj.Zyra Islamja.

Qytetarët denoncojnë gjithashtu, se pas vendosjes së masës së sigurisë, Rexh Byberi ka kthyer një bar-kafe në zyrë ku firmos e plotëson shkresa e dokumente.

Partia Demokratike apelon në mënyrë urgjente respektimin e ligjit i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë, prandaj kërkohet menjëherë:

1. Shfuqizimi i urdhërit të brendshëm të kryetarit nën arrest nr. 292, datë 09.09.2024.

2. Emërimi me shumicë votash nga këshilltarët bashkiakë të njërit prej nënkryetarëve që të kryejë detyrat e kryetarit;

3. Organet ligjzbatuese të monitorojnë nga afër respektimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpiak’ nga ky person’, tha Genta Vangjeli në deklaratën e saj në selinë blu.