Apeli kundër Blatterit dhe Platinisë, ja kur merret vendimi

Gjyqi i apelit kundër ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, dhe ish-presidentit të UEFA-s, Michel Platini (të akuzuar për mashtrim), të liruar nga akuzat në shkallën e parë në vitin 2022, do të zhvillohet midis 3 dhe 25 marsit.

Siç konfirmoi këtë të martë për agjencinë gjermane dpa avokati i francezit Platini, Dominic Nellen, seanca në një gjykatë të jashtëzakonshme të Apelit është caktuar të mbahet nga data 3 deri më 25 mars, në Muttenz, pranë Bazelit.

Blatter, 88 vjeç, ish-president i FIFA-s, dhe Platini, 69 vjeç, ish-president i UEFA-s, u liruan nga akuzat për mashtrim në vitin 2022.

Prokurorët zviceranë akuzuan Blatterin se i kishte dhënë Platinisë në mënyrë të paligjshme një pagesë prej më shumë se 2 milionë eurosh në vitin 2011 si këshilltar ndërmjet viteve 1998 dhe 2002.

Megjithatë, dy të pandehurit u mbrojtën duke argumentuar se shuma korrespondonte me pagesat në pritje të një marrëveshjeje verbale që lidhej me punën e Platinisë si këshilltar.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës nuk pa bazë ligjore për pagesën, por Gjykata Federale Penale zvicerane vendosi t’i lironte nga akuzat. Më pas, Prokuroria e apeloi vendimin.

Në fund të vitit 2015, Komiteti i Etikës i FIFA-s e pezulloi Blatterin, i cili ishte në detyrë për 17 vjet, gjithashtu edhe edhe Platininë, që nuk do të mund të qëndronte në krye të UEFA-s për 8 vjet. Një sanksion që Komisioni i Apelimit e uli në gjashtë dhe, më pas, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në katër vjet.