SPAK vë nën hetim OPGJ-në në Elbasan se mori ... 1 mijë euro për të mbyllur një dosje

Denoncimi në një televizion i Oficeres së Policisë Gjyqësore, Anila Dushku duke marrë 1 mijë euro për një ndërtim pa leje, ka bërë që SPAK të nisë një hetim ndaj saj.

‘Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 180 të vitit 2024, që bën fjalë për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal në ngarkim të shtetases A. D.

Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datë 10.09.2024, në emisionin Fiks Fare në TV Top Channel, janë transmetuar pamjet filmike mbi rastin korruptiv të Oficeres së Policisë Gjyqësore A. D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kërkon dhe i merr shtetases H. Ll., shumën prej 1 000 Euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja A. D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal dhe Gjykata me vendimin e saj Nr. 117 Akti, datë 16.09.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në datën 16.09.2024.

Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje’, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga SPAK.

Ngjarja zhvillohet në zyrën e oficeres Anila Dushku, e cila pasi i merr ryshfetin i premton të moshuarës se do “të mbaronte punë”. Disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkon një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale ndërtim pa leje është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua 68-vjeçarja Hava Lloga, e cila para disa vitesh u procedua dhe u dënua për ndërtim pa leje, për shkak se ndërtoi një banesë për vete dhe djalin në fshatin Qendër Librazhd. Më pas filloi ndërtimin e një banesë për djalin tjetër dhe sërish u procedua. “Problemi im është me këto shtëpitë se mua më kanë dënuar 2 muaj arrest shtëpie. Ka nja 3 vjet kur unë ndërtova shtëpinë si gjithë të tjerët pa leje dhe më pas e legalizova. Më pas fillova të ndërtoj banesën e djalit tjetër. Punimet i ndoqa unë bashkë me ustallarët, pasi djali është në Greqi” thotë e moshuara.

Më tej sqaron se punimet kanë filluar 3 vite më parë. “Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, pohon 68 vjeçarja.

Ajo thotë se në Policinë e Librazhdit ka dëshmuar se po e ndërtonte për djalin. “Unë për ato po i ndërtoj, se s’kam për t’i marrë me vete se unë jam e vjetër. Çuni i vogël në Vlorë me fëmijët dhe ky tjetri në Greqi dhe punimet i kam ndjekur unë. Mua më thoshte kryetari ndërtojë dhe më mbrapa më sillte policinë. Këta të policisë i çuan letrat në prokurori dhe unë e takova këtë Anilën në katin e parë, brenda prokurorisë. I thashë ma thuaj copë ça halli ka. Më tha më jep 1 mijë euro ta mbyll çështjen”, pohon Havaja.

Fiksi e pyeti se nëse nuk i jep këtë shumë, çfarë ndodh me çështjen. “Më dha një afat. Deri në këtë datë pret. Unë ku t’i gjej, unë 200 mijë lekë marr. E sëmurë jam. S’më dalin të ha. Më tha m’i prure ta mbyllim çështjen, s’m’i prure … Nuk e di se çfarë i ndodh djalit, se ai ka ikur maleve me fëmijët për në Greqi”, thotë e moshuara. Më pas tregon se, para se të ndërtonte shtëpitë, ka jetuar në një kasolle. “Jetoja në kasolle, me gjarpërinjtë. Këtë kasollen e kam ndërtuar në vitet 1997-1998 kur kemi ardhur te ky vend. Jetë e zezë. Këtu kam jetuar para se të bëja shtëpinë. Mirë që s’na ndihmojnë, por s’na lënë të qetë”, vijon ajo, ndërsa pohon se s’ka mundësi që të bëjë këtë pagesë. “Unë s’kam të ha bukë, 200 mijë lekë marr. Ça të bëj, të paguaj drita, të paguaj ujë, të marr ilaçe apo të ha! Llogarit muajin”, përfundon ajo.

Pas ankesës, e moshuara telefonon oficeren Anila Dushku për ta takuar. OPGJ-ja i thotë se hajde të hënën dhe takohemi. E moshuara shkon në afërsi të Prokurorisë së Elbasanit dhe pasi takon OPGj, shkojnë në një byrektore. Në këtë vend, oficerja i thotë se “me 1 mijë euro mbyllet çështja”. Dhe “kur të vish e ti sjellësh, mbyll gojën”. “(1 mijë euro) dhe asnjë gjë tjetër. S’ke punë me asnjë. Dakord? Mos fol me njeri. Ti, ti kishe sjell sot dhe nuk kishe për të ardhur më. Mos u bëni pishman pra. Se unë i prish punë djalit. Është ndërtuar gjithë ajo shtëpi dhe me 1 milion lekë nuk është asnjë gjë. Kështu që sa të mbaroj ajo puna, ato do ti mbaj te xhepi im. Tani do vish dhe do më bësh telefon para se të vish”, i thotë oficerja të moshuarës.

E moshuara shkon në Elbasan ditën që oficerja e prokurorisë i la takim. Para takimit, ajo fut në një qesë shumën prej 1 mijë eurosh dhe 10 mijë lekë të vjetra. Oficerja e merr brenda Prokurorisë së Elbasanit. Zyra e saj është në katin e parë të godinës. E fut brenda zyrës dhe direk i kërkon shumën. E moshuara nxjerr qesen dhe i kërkon OPGj-së që t’i numërojë. “I ke numëruar ti nëna”, i përgjigjet, teksa e fut qesen në sirtarin e saj. E moshuara i thotë se ka edhe një 10 mijë lekësh për rrugë. Ajo nxjerr 10 mijë lekëshin dhe i thotë fute në xhep. Më pas i thotë se tani vendimi do të vijë me postë.

Disa ditë pas pagesës, në banesën e të moshuarës në Librazhd, shkon një zarf nga Prokuroria e Elbasanit. Është një vendim pushimi për procedimin penal për ndërtim pa leje. Vendimi është marrë në datën 15 korrik 2024, nga prokurori Xhelian Seferi. Prokurori shkruan se procedimi penal është me numër 359, i datës 30 mars 2023, ditë në të cilën Policia e Librazhdit ka shkuar në banesën e të moshuarës Hava Lloga dhe e kanë proceduar për ndërtim pa leje.

Në vendim, prokurori shkruan se ndërtimet janë pa leje, por ato ndërtime janë bërë para datës 31 mars 2024 dhe vepra penale “ndërtim i paligjshëm” është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Pra, qytetarja i ka paguar OPGj-së shumën prej 1 mijë eurosh, megjithëse vepra penale është amnistuar dhe prokuroria duhet të kishte marrë vendim shumë kohë më përpara!