Nëse shënon ndaj Interit në Champions, Haaland thyen rekordin e ‘çmendur’ të CR7

Erling Haaland mund të mposhtë një rekord të jashtëzakonshëm që momentalisht mbahet nga Cristiano Ronaldo, në rast se shënon nesër në Ligën e Kampionëve.

Norvegjezi e vazhdoi formën e tij të mirë edhe këtë fundjavë, duke shënuar dy herë në fitoren e Cityt me rezultatin 2-1 ndaj Brentfordit.

Haaland dështoi që të bëhej lojtari i parë në Premier League që shënon tri herë radhazi tripletë, por megjithatë arriti që të thyejë një tjetër rekord.

Ai u bë lojtari i parë i cili ka arritur të shënojë nëntë gola në katër ndeshjet e para në elitën e futbollit anglez këtë sezon.

Duket se çdo ndeshje i ofron atij mundësinë për të thyer një rekord të ri, ndërsa as takimi me Interin të mërkurën nuk do të jetë më ndryshe.

Haaland momentalisht numëron 99 gola për Manchester Cityn në 103 ndeshje, që do të thotë se ka edhe një mundësi të mposhtë Cristiano Ronaldon, i cili ka arritur shifrën e 100 golave pas 105 paraqitjeve për Real Madridin.

Teksa ylli i Cityt ka një punë të vështirë për të barazuar numrin total të golave që Ronaldo kishte shënuar për Realin (451 gola në 438 ndeshje), është mjaft afër për ta thyer këtë rekord, i cili prej vitesh mban emrin e portugezit.