Dekonspirimi i operacionit për Çopjat, SPAK sekuestron telefonin e drejtori të Policisë Elbasan

Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë në sitë 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren  për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Ndër ta janë marrë në pyetje edhe 3 drejtues policie që kanë patur dijeni për operacionin. Ilir Proda është kandidat zyrtar për zëvendësimin e Muhamet Rrumbullakut.

Lidhur me bindjen që ka organi i procedurës penale, është duke kryer verifikime në një sërë aparatesh celulare të personave të mësipërm, komunikime apo takime të mundshme komprometuese.

Në vazhdën e këtij hetimi, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë shkuar me urgjencë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, duke i sekuestruar aparatin e telefonit, me dyshimin se informacionet dhe emrat e operacionit të nisur nga SPAK kundër grupit “Çopja”, mund të kishin dalë prej tij.

Rrumbullaku ka dorëzuar telefonin, ndërsa pas tij agjentët e BKH-së i kanë marrë telefonin dhe këqyrur e-mailin një zyrtari tjetër të lartë të Policisë së Shtetit, i cili ja kishte dërguar me e-mail vendimin e gjykatës disa prej drejtuesve të Forcës Operacionale dhe Drejtuesit të Policisë së Elbasanit.

Punonjësve të policisë që u ka shkuar ky e-mail i dërguar nga zyrtari i lartë në drejtorinë qendrore, u janë marrë telefonat dhe këqyrur adresat postare elektronike, me shpresën e gjetjes së personit që kishte nxjerrë informacionin, përpara se SPAK të ndize dritën jeshile për ekzekutimin e vendimit.

Nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13, dy prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej këtyre shtetasve që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por me dyshimet se janë informuar nuk është arritur të kapen.

Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.

Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë.  E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.