Bareshat e Administratës Shtetërore

Individi përballë ingranazhit të adminstratës shtetërore ndihet si bagëtia kur vihet në radhë për t'u matrikulluar. Administrata shtetërore është një ingranazh ku të gjithë presin në radhë matrikullën mbi shpinë. Në bazë të asaj matrikulle përcaktohen detyrat dhe avantazhet e tua. Njësoj si bagëtia, ke mbi kokë baresha që të diktojnë kohën dhe vendin e lëvizjes, por në ndryshim nga bareshat e vërteta, bareshat e administratës shtetërore me gërshërët e tyre nuk qethin lesh, por qethin të drejtat themelore të njeriut.

Me gërshërë të madhe në dorë bareshat e administratës shtetërore, pa kurrfarë përvoje dhe pa kurrfarë merite në postin që kanë, mundohen të qethin të drejtën për të thënë me zë të lartë atë çka mendon. Askush nuk duhet të mendojë. Gjithkush duhet veçse të bindet. Mendimi është krim i rëndë. Të lejohet të mendosh ose të thuash me zë të lartë mendimin tënd, vetëm në rastin kur mendimi yt pjell servilizmin ose spiunllëkun për bareshën me gërshërë në dorë. Në rast se mendimi yt pjell një një kundërshti për bareshën, atëherë përgatitu për një stinë në ferr.

Stina në ferr nuk është hiç e lehtë. Të duhet të përballesh me aleancën e bareshave me gërshërë në dorë çdo sekond, çdo minutë, çdo orê, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Zhurma e gërshërëve, që janë gati të të qethin çdo të drejtë, do të të shoqërojë kudo. Bareshat nuk lodhen kurrë së qethuri të drejta dhe nuk i prishin kurrë aleancat e tyre. Aleancat e tyre në këtë vend janë të forta sepse ekzistojnë më shumë njerëz që duan t'u qethen të drejtat që kanë, se njerëz që duan t'i mbrojnë këto të drejta.

Thënë shkurt, bareshat janë të mësuara me njerëz që trokasin në derën e tyre njësoj siç mund të trokisnin në derën e berberit apo të parukieres duke i thënë në ligjëratë të drejtë:

" M'i qeth apo m'i shkurto pak flokët se më janë rritur shumë"

Në rastin e bareshave të administratës kërkesa është; "M'i qeth pak të drejtat që më takojnë, të lutem. Më janë rritur shumë dhe njeriu nuk mund të jetojë me të gjitha të drejtat që i takojnë në gjithë këtë të nxehtë. Në vapë njeriun e freskojnë veç detyrimet, por kurrsesi të drejtat".

E teksa bareshat e administratës shtetërore përballen me individin që refuzon t'i qethen të drejtat që i takojnë dhe ngulmon me kokëfortësi t'i mbrojë ato, marrin gërshërë me përmasa më të mëdha duke shpresuar se përmasat e gërshërës do t'i ndihmojnë më shumë në qethjen e të drejtave të individit.

Të futura në spiralen e mosarsyetimit bareshat e administratës shtetërore gjenden përballë gërshërëve më të mëdha se shtati i tyre dhe përsëri nuk ia dalin dot t'i qethin të drejtat e individit që ka vendosur me vetëmohim t'i mbrojë ato.

Të renditura si statuja dylli me gërshërët e tyre të stërmëdha në duar pyesin me sy njëra- tjetrën: Si ka mundësi që nuk ia dolëm t'ia qethnim këtij individi të drejtat?! Porositëm edhe gërshërët më të mëdha që ekzistonin.

Bareshat e administratës shtetërore nuk e kuptojnë se janë përmasat e mendjes së tyre që shkaktuan humbjen dhe jo përmasat e gërshërëve. Te dyqani i gërshërëve bareshat e administratës duhet t'i thonë shitëses- A shisni mendje me përmasa më të mëdha se kjo që kam unë?".

Post Scriptum- Bareshat duhet të kuptojnë se përmasat e mendjes nuk kanë domethënien e përmasave të gërshërëve dhe se gërshërët e mëdha u kanë hije mendjeve të vogla.