Mota debuton në Champions me Juven: S’kemi presion

Juventusi rikthehet të luajë në Ligën e Kampioneve, ndërsa Tiago Mota do të bëjë debutimin absolut në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë.

Përballë “Zonjës së Vjetër” në Torino do të udhëtojnë kampionët e Holandës, PSV-ja.

Në prag të kësaj sfide tekniku bardhezi ka treguar për mediat pritshmëritë, duke mos e fshehur objektivin për të dalë nga kjo ndeshje me tre pikë.

“Është një krenari e madhe, për më tepër që do të luajmë në shtëpi kundër një skuadre të mirë. Mezi po pres që të fillojë ndeshja. Do të jetë një takim i bukur ku duam të bëjmë një paraqitje të madhe për të dalë me rezultatin në favorin tonë”, u shpreh fillimisht Tiago Mota.

“E rëndësishme është që të kemi respekt për të gjithë kundërshtarët. Ne duhet të mendojmë për veten dhe për atë që duhet të bëjmë në fushë. PSV është një skuadër e mësuar të ketë kontroll të lartë të topit, prandaj ne duhet të rikuperojmë shumë dhe të jemi të mirë në manovrën e lojës.

Fakti që nuk po fitojmë trofeun që prej vitit 1996, nuk mendoj se na vendos në presion. Juventusi ka një histori të bukur që e mbart me vete në nivel botëror. Juvja ka shumë tifozë dhe shumë gjëra të bëra mirë, dhe ne këtë histori e shohim në mënyrë pozitive”, deklaroi trajneri i bardhezinjve.