Dhuna në Laç/ Gjyqtarët u kërcënuan në pushimin e ndeshjes me Partizanin, ishin gati të braktisnin sfidën

Rikthehet dhuna në stadiumin e Laçit. Dje ndeshjen mes kurbinasve dhe Partizanit janë regjistruar disa episode dhune, që kanë detyruar edhe gjyqtarin Juxhin Xhaja të ndalojë ndeshjen.

Që në fillim situata ka qenë e nxehtë me ofendime, por në pjesën e dytë tensioni kaloi në tjetër nivel.

Mësohet se nga tribuna kryesore ka pasur hedhje të shumta sendesh drejt lojtarëve, gjyqtarëve dhe stafit të Partizanit.

I lënduar ka mbetur menaxheri i ekipit të kuq, Amarildo Dajlani, i cili u inkuadrua nga kamerat dhe u pa me akull në pjesën e veshit, pas goditjes me një shishe me ujë.

Gjithashtu, është vënë re një organizim i dobët nga ana e klubit kurbinas sa i përket sigurisë.

Në ndeshjet e Laçit ka pasur gjithnjë prani të FNSH-së, por dje ky repart policor nuk ka qenë i pranishëm.

Përveç incidenteve me kundërshtarët, mësohet se në pushimin mes pjesëve drejtuesit e Laçit kanë kërcënuar dhe ofenduar arbitrat.

Këta të fundit kanë marrë në konsideratë edhe pezullimin e sfidës pas situatës në të cilën janë ndodhur.

Asnjë drejtues i Partizanit nuk ka qenë i pranishëm në tribunë. Përtej kësaj, klubi i kuq ka bërë një reagim të ashpër për incidentet.