Nga Nallbati, Prençi, Proda, Seferi deri tek Hajdari, kush janë 11 kandidatët për kreun e Policisë së Shtetit

Nesër përfundon afati zyrtar 7 ditor i dorëzimit të kandidaturave me qëllim zgjedhjen e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit.

Media ka mësuar disa prej emrave të punonjësve të policisë që mbajnë gradën “Drejtues” dhe “Drejtues i Parë”, të cilët kanë shfaqur interes për të qenë Drejtues të Organizatës së Policisë së Shtetit.

Mësohet se deri ditën e sotme kanë dorëzuar kandidaturën rreth 11 persona, ku mes të cilëve është Lutfi Minxhozi.

Minxhozi prej shumë vitesh ka shërbyer si Drejtor i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe njëherësh dhe Drejtor i Interpol Tirana.

Një tjetër emër është Neritan Nallbati, Drejtori aktual i Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe hetimit të Krimeve të Rënda.

Nallbati është përjashtuar nga policia, por u rikthye në polici në vitin 2015 menjëherë pasi në pushtet erdhën socialistët.

Gjithashtu, interes për të qenë pjesë e garës dhe pse jo Drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit, mësohet se është dhe oficeri me gradën “Drejtues i Lartë”, Pëllumb Seferi.

Seferi ka studiuar në Itali. Ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1998 është emëruar Shef i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Në vitin 2000 është emëruar si Specialist i ZQK Interpol Tirana. Në vitin 2006 është emëruar Shef i ZQK Interpol Tirana, e në vijim ka mbajtur poste të ndryshme në Polici. Tashmë Seferi aspiron të kapi fronin e Drejtuesit më të lartë.

Rebani Jaupi, është një tjetër emër që ka kandiduar për postin e policisë së Shtetit. Jaupi ka mbajtur disa detyra të larta në polici dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të kupolës së uniformave blu.

Por në këtë garë ai ndiqet nga Ilir Proda, një tjetër drejtues policie i lartë, që ka çuar dosjen e tij për të konkurruar për kreun e Policisë së Shtetit.

Ilir Proda, aktualisht, ushtron detyrën në policinë e Elbasanit, ku gjatë kësaj kohe ka realizuar disa operacione kundër drogës të quajtur “Tempulli”.

Skënder Hita, drejtori aktual i Policisë së Durrësit është një tjetër kandidat potencial që ka shfaqur interes për të qënë në garën për kreun e Policisë së Shtetit.

Një tjetër emër që mësohet se ka shfaqur interes dhe ka kandiduar është dhe ish-oficeri i Policisë Gjyqësore dhe njëherësh ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.

Hajdari ka eksperiencën e duhur ligjore dhe njëherësh eksperiencën policore, pasi për vite me radhë ka shërbyer në repartin special “RENEA”.

Por në këtë garë Hajdari ndiqet nga konkurrenti tjetër Shemsi Prençi, një ish-drejtues policie që ka shërbyer në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit.

Sami Rasha, ish-drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm aktualisht pedagog në Akademi, është kandidati i radhës.

Ai mësohet se ndiqet nga kandidatura e Adriatik Tafçiut dhe Gentjan Shehaj. Pritet që ditën e mërkurë të përfundojë afati i dorëzimit të kandidaturave, duke shpalosur më pas konkurrencën profesionale dhe pikëzimin e dosjeve, deri në shpalljen e fituesit.

LISTA E KANDIDATËVE

1.    Lutfi Minxhozi

2.    Pëllumb Seferi

3.    Neritan Nallbati

4.    Rebani Jaupi

5.    Skënder Hitaj

6.    Ilir Proda

7.    Shemsi Premçi

8.    Shkëlqim Hajdari

9.    Adriatik Tafçiut

10.  Gentjan Shehaj

11.  Sami Rasha

Konkursi për postin e Drejtorit të Përgjithshëm u shpall vetëm pak ditë më parë nga ministri i ri i brendshëm Ervin Hoxha.

Ndërkohë që ekspertët e çeshtjeve të rendit por edhe opozita e cilësosjnë këtë inisiativë si një projekt për të futur nën kontroll të plotë policinë nga ana e rilindjes dhe Edi Ramës. Duke shtuar se konkursi do të jete fals dhe se drejetori i policisë është i paravendosur.