Meta ka ndaluar RT, e rrjete të tjera të mediave shtetërore ruse, përdorën mashtrime për të kryer operacione të fshehta

Pronari i Facebook, Meta tha se ka ndaluar RT, Rossiya Segodnya dhe rrjete të tjera të mediave shtetërore ruse nga platformat e saj, duke pohuar se mediat përdorën taktika mashtruese për të kryer operacione të fshehta të ndikimit në internet.

Ndalimi shënon një përshkallëzim të mprehtë në veprimet e kompanisë më të madhe në botë të mediave sociale kundër mediave shtetërore ruse, pasi kaloi vite duke ndërmarrë hapa më të kufizuar si bllokimi i reklamave dhe zvogëlimi i shtrirjes së postimeve të tyre.

 “Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ne kemi zgjeruar masat tona të vazhdueshme kundër mediave shtetërore ruse. Rossiya Segodnya, RT dhe entitete të tjera të lidhura tani janë të ndaluara nga aplikacionet tona në mbarë botën për shkak të aktiviteteve të ndërhyrjeve të huaja”, tha kompania e mediave sociale në një deklaratë me shkrim.

“Zbatimi i ndalimit do të hyjë në fuqi në ditët në vijim”, tha ai. Përveç Facebook, aplikacionet Meta përfshijnë Instagram, WhatsApp dhe Threads.

Ambasada ruse nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për koment. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.

Masa e Mata vjen pasi Shtetet e Bashkuara ngritën akuza për pastrim parash kundër dy punonjësve të RT-së në fillim të këtij muaji për atë që zyrtarët thanë se ishte një skemë për të punësuar kompaninë amerikane të përmbajtjes në internet për të ndikuar në zgjedhjet e 2024-ës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se vendet duhet t’i trajtojnë aktivitetet e transmetuesit shtetëror rus RT sikur të ishin duke punuar në operacione të fshehta të inteligjencës.