Kujdes nga këto mesazhe që ju vijnë në Whatsapp!

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me disa tentativa të shtuara kohët e fundit të personave që vjedhin të dhënat personale nëpërmjet faqeve të Facebook.

Nëpërmjet një linku që ju dërgohet në Ëhatsapp ju vidhet llogaria e Facebook dhe më pas ju kërkohen para për ta marrë atë mbrapsht.

Njoftimi i policisë/ Tiranë:

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit dhe platformave virtuale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, ka konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).

Në këto mesazhe pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet. Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive të personave të mashtruar, në mënyrë të padrejtë.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë bën thirrje që në qoftë se jeni ose dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave tona, si dhe këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj” – thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.