Çfarë fshihet poshtë urrejtjes së SPAK për trashëgiminë dhe bamirësinë?

E vërteta e pamohueshme e formave të abuzimit, përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, është se gjithmonë, ato shkojnë larg. Nuk mund të ndalen dhe as t’u jepet zgjidhje pa prekur fundin, ekstremin.

Duket se jemi në këtë pikë edhe me Prokurorisë e Posaçme-SPAK. Dosja e fundit e padisë kundër Sali Berishës- jo se e para, ajo e hetimeve u bënte nder-ishte një mishmash elokuent i pocaqisë njerëzore dhe intelektuale.

Këtu na duhet të ndalemi pak dhe të vërejmë me alarm se konflikti nuk është më vetëm politik, siç z. Berisha e paraqet, por kulturor dhe shoqëror. Në këto dy fragmente, të marrdhënieve qytetar-qytetar, qytetar-institucione, konflikti i prek të gjithë, edhe ata që nuk e dinë se i cënon.

Pse?

Së pari, sepse SPAK, hedh ne erë- ose se nuk i kupton, ose se i kupton mirë por i urren- dy institucione të rëndësishme, themeltare, të marrdhënieve shoqërore dhe kulturore: pronën/trashëgiminë dhe bamirësinë/filantropinë.

Për të parën nuk mendoj se duhen shpjegime, sepse gjithkush ka një pronë të vetën, modeste apo luksoze, dhe këtë pronë ka ndërmend t’ja lërë dikujt trashëgim. Kjo është mënyra se si brezat lidhen me njëri-tjetrin dhe kujtesa, aq e rëndësishme për shoqërinë, themelohet dhe shërben edhe si vetëdeklarim, por edhe si lidhje sociale.

E dyta, bamirësia/filantropia janë pak më delikate dhe të vështira për t’u shpjeguar, por ndoshta duke thënë se e djathta, për një përkufizim klasik kuptimor dhe filozofik, zgjedh këto të dy forma për të bërë shpërndarjen e pasurisë. E majta merr një kurs krejt të kundërt, duke kërkuar ose përdorimin e forcës abuzive-ta marr se mundem- ose një formë më të butë, por sërish forcë, duke përdorur instrumentin e shtetit për t’ia marrë kujt punon më shumë dhe krijon më shumë dhe kaluar grupeve të tjera shoqërore, që ajo i quan të pamundura, të pafat etj.

E djathta ia lë në dorë individit që të bëjë bamirësi dhe filantropi apo të shërbejë si mecenat (kujdestar) i arteve etj., e majta ia kërkon këtë grupit (shtetit).

Të dy këto koncepte, jo si të tilla, por si themele të shoqërive, SPAK-u ynë kaq i posaçëm, i hedh në koshin e padive të veta. Duke u nisur ’të vrasë’ Berishën dhe Malltezin, ky institucion që është ngritur nën parimin për t’u shërbyer themeleve të shtetit/shoqërisë, bën të kundërtën dhe kryen një atentat kundër shtetit dhe kuptimit të shoqërisë.

Prona dhe trashëgimia, në rastin e dosjes Berisha/Malltezi, janë shterruar tashmë në trajtimin publik, por filantropia/bamirësia, kaq të përdhunuara në padinë në SPAK, mendoj se duhen trajtuar.

Në pamje të parë, apo atë që synon SPAK-u të paktën, që është pikërisht pamja e parë -sepse publiku në përgjithësi gjykon vetëm pamjen e parë-shprehja e famshme the first impression counts- Berisha dhe Malltezi kanë qarkulluar favore dhe paratë në këmbim të tyre, në forma të kamufluara të donacioneve për një fondacion që ndihmon fëmijët autikë, apo në fatura spitalore për familjarët.

Pamja e parë është e rrezikshme, sepse i siguron publikut një passatempo dhe një shtrembërim, mundësi shpagimi për të gjitha mangësitë që anëtarët e publikut kanë, dhe për të cilat duan të fajësojnë dikë tjetër, jo veten.

SPAK mjaftohet me pamjen e parë. E bën këtë në paaftësi apo djallëzi, është çështje tjetër.

Çfarë ka apo mund të ketë pas pamjes së parë? Si gjithmonë, e vërteta. A është Fondacioni "Fëmijët shqiptarë" një organizatë front, pra një mbulesë për aktivitete të tjera, apo një organizëm vibrant që punon, ka një mision, një ekip, një bord, ka faturat, shpenzimet, sukseset e dështimet? SPAK nuk kujdeset të na e thotë këtë, duke na lënë vetëm me pamjen e parë. Pra, z. Berisha dhe z. Malltezi kanë shkëmbyer favore dhe paratë e tyre i kanë çuar te ”Fëmijët shqiptarë”!!!

Pse nuk e ka bërë SPAK kalimin përtej pamjes së parë? Po ta bënin nuk formulonin dot akuzën dhe, me sa duket, formulimi i akuzës ka qenë synimi i tyre, jo kërkimi i së vërtetës. Kësisoj publiku ka sot në sy dhe në veshë pseudofaktin e shërbyer nga Prokuroria e Posaçme se Berishajt kanë ’pastruar para’ nëpërmjet një fondacioni që ’bën sikur ndihmon’ fëmijët autikë.

E njëjta metodologji është përdorur edhe për faturat e spitalit të zonjës Berisha. X shuma janë derdhur për këtë qëllim. Asnjë të dhënë mbi atë nëse këto fatura janë gjeneruar si kopertura, apo pacientja i është ushtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale apo çfarëdo qoftë tjetër.

Sërish shmangia ka të bëjë me atë se, po të shkohej më thellë nuk mund të formulohej akuza.

SPAK i duhet një pseudodosje e dytë pë të mbular pseudodosjen e parë. Pra, pas atentatit të konceptit të pronë/ trashëgimisë, le të vritet edhe koncepti tjetër i filantropi/bamirësisë. Në kuptimin politik, pra nëse këtë e bënte Partia Socialiste apo qeveria, nëpërmjet një strategjie apo taktike të zyrave përkatëse të pr-it (marrdhënieve me publikun), me qëllimin dëmtimin e kundërshtarit politik, Berishës, do t’i pranoja si pjesë e luftës politike, në një farë mënyre fair game në lojën e pushtetit. Kur i bën Prokuroria e Posaçme, janë jo vetëm të papranueshme, por të rrezikshme, sepse krijojnë monstruozitete institucionale, shpërfillin kufijtë etikë, moralë dhe ligjorë, e abstragojnë institucionin nga roli i vet.

Psikologjikisht, mendoj se kjo sjellje ka edhe një substrat tjetër. Është paniku që u krijojnë format legjitime të pronës -dhe mundësitë që i lejojnë dikujt që, nëpërmjet fitimeve të futet edhe në bamirësi/filantropi- individëve të cilëve u dyshohet pronësia/trashëgimia dhe, rrjedhimisht, nuk munden të luajnë filantropistin me instrumentet financiare që u lejon aksh pronësi.

Në fund, e gjitha është, si premisë ashtu edhe rrjedhojë e psikologjisë.

Në rastin e SPAK, shërbimi politik dhe shërbimi ndaj unit të trysnuar bëhen një molotov jakobin.