Atentati ndaj Trump/ Fox News: Agjentët qëlluan kur panë tytën e kallashit
Fox News
58-vjeçari i akuzuar se i drejtoi një AK-47 ish-presidentit Donald Trump të dielën pasdite, ka një histori të pasur arrestimesh në disa dekada.
Ryan Wesley Routh u arrestua menjëherë pas incidentit në klubin ndërkombëtar të golfit Trump në West Palm Beach.
Autoritetet thanë se agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan në drejtim të tij pasi panë grykën e kallashnikovit të tij, të futur në një vrimë tek rrethimi përpara vendit ku po luante Trump.
Autoritetet po e trajtojnë episodin si një atentat të qartë ndaj Trump.
Një kontroll mbi emrin e dhënë nga zyrtarët, Ryan Wesley Routh, zbuloi se ai aktualisht jeton në Havai dhe ka pasur dhjetëra përplasje me policinë, të paktën që nga vitet 1990.
Routh është një vendas i Karolinës së Veriut, ku lista e tij e arrestimeve përfshin posedim të thjeshtë droge, drejtimin e automjetit pa patentë, inspektim të ligjshëm dhe drejtim të një automjeti pa siguracion.
Përveç kësaj, në vitin 2002 Routh u arrestua pasi u barrikadua në zyrën e kompanisë së tij për tre orë, ngjarje që pasoi një ndalesë trafiku në të cilin ai vuri dorën në një armë përpara se të arratisej.
Routh u transferua në Havai në vitin 2017, tregojnë të dhënat. Që atëherë ai ka ngritur një kompani tjetër ndërtimi në Havai, që ndërton struktura të thjeshta banimi për njerëzit e pastrehë, sipas një faqeje LinkedIn që duket se i përket Routh.
“Ky nuk duket të jetë një tip i rastësishëm me një AK-47 që shëtit jashtë klubit të Trump,” tha një zyrtar pas incidentit të së dielës pasdite.
Lajmi për incidentin doli menjëherë pasi Trump u shoqërua në një vend të sigurt.
Një anëtar i Shërbimit Sekret e pa atentatorin teksa Trump po luante në vrimën e pestë të fushës së golfit. Zyrtarët thanë se ai braktisi një AK-47, një kamerë Go-Pro dhe dy çanta shpine përgjatë një gardhi që kufizohet me vrimën e gjashtë të fushës së golfit.
Routh iku me një fuoristradë pasi një anëtar i Shërbimit Sekret qëlloi mbi të, por u arrestua shumë shpejt, thanë autoritetet.
Fushata e Trump publikoi një deklaratë se presidenti i 45-të ishte i sigurt, me Trump që pasoi në një mesazh për mbështetësit se ai "nuk do të dorëzohet kurrë".