Ambasadori suedez: S'kemi kohë për Urën e Ibrit, fokusi është te Ukraina

Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund ka thënë se fokusi i BE-së është në agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa sipas tij, nuk ka kohë për diskutime rreth Urës sç Ibrit në këtë moment.

Ambasadori ka thënë se kjo urë duhet të hapet, por sias tij, pyetjet se kur dhe si, i takojnë popullsisë, siç është shprehur ai, në të dy anët e lumit, në konsultime me ndërkombëtarët.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron të spekulojë nëse vendimet e fundit të qeverisë po bëhen në prag të zgjedhjeve, derisa ka kërkuar koordinim më të mirë me bashkësinë ndërkombëtare.

“Në gjuhën greke është një fjalë, ‘kairos’, që do të thotë se duhet ta marrësh një vendim në momentin e duhur për të pasur rezultatet më të mira të mundshme. Nuk ma merr mendja se kemi ‘kairos’ momentalisht. Ura duhet të hapet, besoj që të gjithë pajtohemi për këtë, pyetja është kur dhe si.

“Në pikëpamjen time duhet të behet në përputhje me konsultime të popullsisë në dy anët e lumit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky është një problem simbolik, në realitet ka shumë ura tjera të hapura ku mund të qarkullojnë veturat e këmbësorët në Ibër”.

“Nuk dua të spekuloj (se këto veprime po bëhen sepse jemi në prag të zgjedhjeve). Do ta vlerësonim shumë nëse disa nga këto çështje do të diskutoheshin me komunitetin ndërkombëtar para se të ngriheshin problemet. Kjo është theksuar në disa raste ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe kryeministrit Kurti”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se fokusi i BE-së është në luftën Rusi-Ukrainë, sic duhet të fokusohet edhe Kosova, Suedia dhe të gjitha vendet e Evropës.

“Kosova është pjesë e Evropës. Që të dyja vendet, edhe Kosova edhe Suedia, janë shtete të vogla dhe duhet ta kuptojmë se çfarë po ndodh në Evropë tani me agresionin rus mbi Ukrainën. Koha është që të fokusohemi aty dhe se si Kosova, Suedia e aleatët tjerë mund ta ndihmojnë Ukrainën nga Rusia, e cila po rrezikon edhe sigurinë evropiane”.

“Pra, këtu duhet të jetë fokusi dhe nuk ka kohë për diskutime rreth Urës në këtë moment. Duhet të diskutojmë për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve, dhe duhet të diskutojmë si mund ta ndihmojmë Ukrainën”, ka thënë ai.

Tutje, ai tha edhe se  vendi duhet të fokusohet edhe në zhvillimin ekonomik dhe thellimin e bashkëpunimit me Suedinë, e cila ka disa kompani të saj që po operojnë në Kosovë dhe disa të tjëra të interesuara.

“Çdo shtet demokratik, si Kosova, duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik. Kryeministri ka thënë disa indikatorë që Kosova po ecë përpara me ekonomi. Mendoj se duhet të fokusohesh aty ku mund të kesh ndikim, si për shembull thellimi i bashkëpunimit në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë”, është shprehur Westerlund./EkonomiaOnline