Irani thërret 4 të dërguar evropianë për akuzat se i ka furnizuar Rusisë me raketa

Qeveria e Iranit thirri të enjten të dërguarit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Holandës lidhur me akuzat e tyre se Teherani i furnizoi Rusisë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi për t'i përdorur kundër Ukrainës.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se ministria e jashtme e vendit i thirri të dërguarit veçmas të enjten për të dënuar me forcë akuzat.

IRNA tha se ministria dënoi gjithashtu Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për lëshimin e një deklarate të përbashkët kundër Iranit dhe e quajti atë një "deklaratë jokonvencionale dhe jo konstruktive".

Deklarata e përbashkët, e lëshuar të martën, dënoi transferimin e supozuar të raketave, duke e quajtur atë "një përshkallëzim nga Irani dhe Rusia" dhe "një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane".

Të tre vendet njoftuan gjithashtu sanksione të reja kundër Iranit, duke përfshirë anulimin e marrëveshjeve të shërbimeve ajrore me Iranin, të cilat do të kufizojnë aftësinë e Iran Air për të fluturuar në MB dhe Evropë.

IRNA tha se ministria e jashtme e Iranit u tha të dërguarve se këmbëngulja e tyre për të marrë qëndrime të tilla shihet si pjesë e politikës së vazhdueshme armiqësore të Perëndimit kundër popullit iranian. Veprimet do të "priten me një përgjigje të përshtatshme nga Republika Islamike e Iranit".

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha këtë javë se Irani kishte injoruar paralajmërimet se transferimi i armëve të tilla do të ishte një përshkallëzim i thellë i konfliktit.

Ai u tha gazetarëve gjatë një udhëtimi në Londër se dhjetëra personel ushtarak rus ishin trajnuar në Iran për të përdorur sistemin e raketave balistike me rreze të afërt Fath-360, i cili ka një rreze maksimale prej 120 kilometrash.