ARRSH: Rënie gurësh e inertesh në disa rrugë, qarkullimi vijon normalisht

ARRSH bën me dije se gjatë natës dhe në mëngjes ka pasur reshje shiu me intensitet të lartë kryesisht në Rajonin Verior.

Për pasojë ka pasur rënie gurësh e inertesh si në rrugën e Tropojës, në Dushaj-Sheshi i Tragetëve, Bogë-Theth, Hani Hotit-Tamarë dhe në Tepelenë-Uji i ftohtë, të cilat janë pastruar dhe qarkullimi vijon normalisht.

Në segmentet Ura e Bunës-Muriqan dhe në Gjirokatër-Kakavijë një pemë e rrëzuar bllokoi pjesërisht një korsi.

“Grupet e punës të ndodhur në terren kanë ndërhyrë menjëherë për kthimin e qarkullimit në normalitet”, njoftoi ARRSH.

Kontraktorët e mirëmbajtjes, me mjete dhe punëtorë janë në terren dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor, bën me dije autoriteti rrugor.