Sulmet e 11 shtatorit/ ‘Ngjarje që tronditi botën’, presidenti Begaj: Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur!
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me 23-vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA.
Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shkruan se sot nderohen viktimat por edhe forca e qëndrueshmëria e popullit amerikan, në atë ngjarje që tronditi botën.
Postimi i plotë:Sot, kujtojmë ngjarjet tragjike të 11 Shtatorit, 2001. Njëzet e tre vjet më parë, bota u trondit nga sulmet e paimagjinueshme që morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm në SHBA.
Në këtë ditë, nderojmë viktimat por edhe forcën e qëndrueshmërinë e popullit amerikan. Kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit. Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur; ai nuk njeh ngjyrë apo ideologji. Nuk duhet të harrojmë kurrë këtë!