Lideri i opozitës në Venezuelë largohet nga vendi, kërkon azil politik në Spanjë

Qeveria e Venezuelës ka thënë se kandidati presidencial i opozitës, Edmundo González është larguar nga vendi, duke kërkuar azil në Spanjë.

González ka qenë i fshehur, pasi ndaj tij ishte lëshuar  një urdhër arresti pasi opozita kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të korrikut – në të cilat Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i kontrolluar nga qeveria shpalli fitues Nicolás Maduro.

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, tha në një postim në mediat sociale se pasi kërkoi “vullnetarisht” strehim në ambasadën spanjolle në Karakas disa ditë më parë, Gonzez i kërkoi qeverisë spanjolle azil politik.

Ajo shtoi se Karakasi kishte rënë dakord për kalimin e tij të sigurt dhe se ai ishte larguar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, José Manuel Albares tha se González ishte nisur nga vendi me kërkesën e tij dhe me një avion të Forcave Ajrore Spanjolle.