Shqipëria e nis me fitore Ligën e Kombeve, mposht Ukrainën për herë të parë në histori

Shqipëria nisi sonte aventurën në Nations League, teksa sfidoi Ukrainën në “Epet Arena” të Pragës.

Djemtë kuqezi zhvilluan një pjesë të parë të shkëlqyer me të paktën 3 raste për shënim me Asllanin, Laçin dhe Manaj, por pa arritur finalizimin.

Ukraina dukej e përgjumur në ’45 minutat e para, por në nisje të pjesës së dytë, djemtë e trajnerit Rebrov kanë befasuar kuqezinjtë, duke gjetur rrugën e rrjetës me Konoplya.

Mbrojtësi i djathtë i ukrainasve gjeti të papërgatitur mbrojtjen duke shënuar në minutën e ’49 të sfidës.

Festa e ukrainasve ka zgjatur vetëm 5 minuta, pasi Shqipëria është rikthyer shpejt në sulm. Një goditje e Manaj që u prit mrekullisht nga Trubin, çoi topin në një goditje këndi që solli edhe golin e kuqezinjve në minutën e '55.

Ishte qendërmbrojtësi Ardian Ismajli që shfrytëzoi më së miri rrëmujën në zonën e ukrainasve duke çuar topin në rrjetë.

Djemtë kuqezi shfrytëzuan më së miri një top të rrëmbyer në mesfushë nga Nedim Bajrami, duke e finalizuar me gol në minutën e ’66.

Pas një qarkullimi perfekt të topit nga e majta, Rei Manaj u fut bukur në zonë dhe më pas asistoi mrekullisht brenda zonës Asanin që erdhi furishëm nga krahu i djathtë i sulmit dhe dërgoi topin në rrjetë.

Shqipëria fiton kështu me rezultatin 2-1 sfidën e parë në grup dhe pret të martën në mbrëmje Gjeorgjinë në “Air Albania.