VIDEO/ Berisha: Zgjedhjet në Shqipëri, binjakë siamezë me zgjedhjet komuniste! Ta kthejmë shtatorin në muajin e fitores
Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se zgjedhjet në Shqipëri janë shndërruar në farsën më të shëmtuar elektorale, por në thelb, absolutisht janë të ngjashme si binjakë siamezë me zgjedhjet e diktaturës komuniste.
Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha i bëri thirrje demokratëve dhe popullit opozitar që ta shndërrojnë shtatorin në muajin e betejës vendimtare, betejën përfundimtare në muajin e fitores.
Berisha: Për shqiptarët sot, ju jeni shpresa e fundit, ju jeni shpresa e vetme. Kjo kohë është për demokratët. Koha e provës së tyre më të madhe në tërë ekzistencën, nga dita e themelimit që është sot.
Ju, shpëtuat PD, por ajo do mund të qëndrojë vetëm po të përmbushë misionin e saj. Zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, votë të lirë për çdo qytetar shqiptar.
Miqtë e mi, zgjedhjet në Shqipëri janë shndërruar në farsën më të shëmtuar elektorale. Ato në aparencë, sigurisht dallojnë me zgjedhjet e diktaturës komuniste, por në thelb, absolutisht janë të ngjashme si binjakë siamezë.
Gjatë diktaturës komuniste qytetarët votonin çdo katër vite, por nga frika dhe terrori, ata symbylltas votonin partinë e krimit dhe terrorit.
Sot shqiptarët votojnë, dhe në pamje të parë votojnë të qetë, por industria e blerjes së votës, makineria e tmerrshme e frikësimit, terrorizimit të qytetarëve, shteti mafioz elektoral, de facto ka vendosur në kontroll të plotë njëlloj si policia sekrete dhe partia komuniste terroriste vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Atëherë miq, sot është koha çdo demokrate e demokrat, çdo shqiptar kudo që ndodhet të angazhohet në betejë pa kthim, në betejën e pandalshme, në betejën vendimtare për përmbysjen e narko-shtetit, për vendosjen e qeverisë teknike, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, rotacionin e pushtetit.
Kjo është prova jonë, ky është misioni ynë, kjo është detyra jonë e vyer e vlefshme, dinjitoze, frymëzuese për çdo sakrificë.
Ndaj dhe le të shndërrojmë shtatorin në muajin e betejës vendimtare, betejën përfundimtare në muajin e fitores.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!