Rreth 500 kërkesa për amnisti, Vjosa Osmani me 'dorë të hekurt', nuk fal asnjë të burgosur

Ky vit është i treti me radhë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot, numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar është 469, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).

Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje se për cilat arsye nuk është aprovuar asnjëra kërkesë.

“Numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar, prej vitit 2021 deri më sot, është 469. Shërbimi Korrektues i Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, nuk ka pranuar Dekret nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për falje të personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite, sipas avokatit Ardian Bajraktari është dekurajim për këtë kategori. Ai ka thënë se falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes, ndikon në masë të konsiderueshme në risocializimin e të burgosurve.

“Falja është kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentit dhe e përcaktuar në nenin 84 të Kushtetutës, sipas së cilës theksohet se presidenti apo presidentja e vendit shpallë faljen individuale sipas ligjit. Ndërsa, çështja e procedurës dhe çështja e kritereve dhe elementeve të tjera janë të rregulluara me Ligjin për faljen e miratuar në vitin 2009, kurse falja në vetvete nënkupton lirimin e plotë apo të pjesshëm të dënimit, zëvendësimin e një dënimi me një dënim më të butë ose lirim me kusht. Po ashtu, përfshin edhe çështjen e fshirjes nga evidenca e të dënuarit. Sa i përket shfrytëzimit të kësaj kompetence nga ana e institucionet të presidentit në tre, katër vitet e fundit nuk kemi asnjë person të falur, çka në bindjen time është një dekurajim për këtë kategori të personave sepse me sjellje të mirë mund të përfitonin nga instituti i faljes”, ka deklaruar Bajraktari.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për Ekonomia Online, se presidentes Vjosa Osmani po i kalon mandati pa e përdorur të drejtën e saj kushtetuese, raporton Koha.net.

“Presidentes po i kalon afati pa falur asnjë të dënuar për të qenë më saktë këtë vit i patë falur dy të dënuar mirëpo paraprakisht ata kanë qenë të liruar nga paneli për lirim me kusht. Deri tani asnjë i burgosur nuk ka përfituar falje nga presidentja zakonisht ka deri në katërqind kërkesa dhe për ne është e papranueshme dhe jo normale që në mesin e pesë të burgosurve hiqeni për katër vite vijnë dy mijë kërkesa që të mos jetë një i vetëm që i plotëson kushtet për falje. Ne vlerësojmë që ka shumë të burgosur të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet për falje pa rrezikuar situatën e sigurisë”, ka thënë Shala.

Ai ka potencuar se kjo përveç që është dekurajim për të burgosurit, ua vështirëson punën edhe Shërbimit Korrektues, drejtorëve dhe familjarëve të burgosurve.