Skandali/ PD: Landfilli i Sherishtës, fituesi i paracaktuar! Kontrata u nënshkrua dy muaj para
Partia Demokratike denoncoi një tjetër skandal në lidhje me landfillin e Sherishtës në Vlorë.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli tha se fituesi ishte i paracaktuar, pasi kontrata u nënshkrua dy muaj para se të shpallej fituesi.
Vangjeli ngriti pikëpyetjen se përse SPAK nuk e heton këtë aferë.
DEKLARATA E PLOTË
Ndërsa Qeveria Rama premton pa u lodhur prej 11 motesh zgjidhje të shpejtë për menaxhimin e mbetjeve urbane në Vlorë, si çdo vit edhe sivjet pak ditë më parë shtëllungat me tym të zi mbuluan qytetin bregdetar për disa ditë nga djegia masive e plehrave.
Premtimet janë një gjë dhe realiteti një gjë tjetër…..
Për landfillin e Sherishtës në Vlorë më 5 dhjetor 2016, u nënshkrua marrëveshja për financimin e projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës, ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Bankës gjermane KFW. Projekti i integruar përfshinte kredinë në vlerën 12.5 milion euro dhe dy grante në vlerat 7.5 dhe 1.3 milion euro.
Më datë 12 qershor 2020, u shpall fituesi që ishte bashkimi i kompanive JV Bulfaro SPA dhe Integrated Technology Services shpk.
VINI RE….
Në këtë format të njoftimit të fituesit është e cituar edhe kontrata e cila daton dy muaj më parë sesa të shpallej fituesi ekzakt më 27 prill 2020.
Kaq mjafton për të dyshuar se tenderi ishte fiktiv dhe fituesi u paracaktua.
Vlera e kontratës së lidhur 2 muaj para se të shpallej fituesi ishte 9.8 milion euro dhe kohëzgjatja e ekzekutimit të kontratë ishte 1.5 vite ose deri tetor 2021.
Në datën 27 prill 2020 u lidh kontrata nr. 3313 me JV ITS & Bulfaro spa.
Në zbatim të kësaj kontrate të lidhur me nr. 3313 datë 27 prill 2020, nga data 28 korrik 2020 deri 7 janar 2023 ITS e Klodian Zotos u pagua 2.4 milionë Euro sipas të dhënave marrë nga Spending Data.
Në 13 dhjetor 2021, ITS vendoset nën sekuestro preventive nga GJKKO.
Në 7 janar 2023 pagesat ndërpriten.
Bashkia e Vlorës do duhej të depozitonte mbetjet në landfillin e ri të Sherishtës që në tetor 2021.
Por aktualisht landfilli në Shërshitë vijon të jetë jashtë funksioni; qytetarët dhe turistët u helmuan nga tymi ndërkohë qeveria është e paaftë të marrë përgjegjësi për të zgjidhur këtë situatë të krijuar përvit.
Qytetarët janë të vetëdijshëm që Qeveria Rama ka zgjedhur të mos i përgjigjet problemeve të qytetarëve sepse është e zënë me vjedhjet, korrupsionin e propagandën….
Pyetjet tona janë:
1. Si u krye procedura e tenderit për të cilin kontrata u lidh 2 muaj para shpalljes së fituesit?
2. Përse u pagua ITS deri 2023 ndërsa kontrata përfundonte në 2021…?
3. A u aplikuan tarifat për vonesa në zbatim të kontratës së lidhur…?
4. Cilët janë zyrtarët publikë që mbajtën përgjegjësi, ndërsa objekti i kontratës nuk është funksional edhe mbi të gjitha ende sot e kësaj dite mbetjet digjen rrugëve duke dëmtuar shëndetin e banorëve dhe shkatërruar turizmin ….
SPAK-u është zgjuar apo pret konfirmimin nga bosi i tij Edi Rama edhe për këtë çështje….