Rama bën serenatë
U bënë muaj që media qeveritare, që për fatin e keq është shumicë me shumicë tek ne, po na baltos e po na bombardon trurin me lajme turistësh.
E nisën me numrin mbresëlënës që asnjë vend nuk e kishte arritur, më pas kaluan në renditje shtetesh që ata përfaqësonin, së fundi në intervista me lumturinë e turistëve të lumtur.
E protagonisti si në çdo lajm është një, po Rama mo, Rama. Sfondi në ekran ndërtohet në funksion të ngazëllimit të tij. Mbushur tv-të me video plot ngjyra dhe natyrë marramendëse të Shqipërisë a thua se dhe këto nuk i ka krijuar zoti, por i ka krijuar Rilindja.
Edhe detet, edhe liqenet, edhe malet, edhe lumenjtë ajo i polli. Madje ca televizione guxuan dhe e zhvendosën këndej nga ne psh krejt popullsinë e Italisë. Nuk lanë një italian të pushojë në Siccili, në Sardenjë, në Napoli a qoftë dhe në Bari.
I hodhën të gjithë te brigjet tona. Dhe kur vetë andej ngelën pa turistë, sipas medias tonë lëpirëse, nisën të ulnin çmimet. Na mori më qafë Shqipëria, ia nisën kujes!!!
Po e vërteta, e provuar nga bizneset shqiptare dhe nga banorët e zonave turistike, është krejt tjetër. Thuajse 20-30% më pak ka pushues në brigjet e detit e liqenit. Thuajse 20-30% më pak se vjet është xhiro ditore e restoranteve.
Aq dhe frekuentimi i hoteleve dhe njësive të tjera akomoduese. Pra qeveria gënjen me syrin pishë dhe me ballin lart. E për fat të keq nuk pushon. Trumbeton rekorde me zë e figurë vetë Rama. Po mbytemi nga turistët, shpërthen gazmendi i tij.
Mes këtij horrliku, siç shprehen shkodranët, më vjen ndër mend një tip i leshtë në Korçë. Që rastësisht qe i gjatë sa Rama sot. I kishte rënë në kokë për një vajzë. Quhej Moza ajo.
Pasi mendoi se ia mësoi shtëpinë shkonte çdo natë atje dhe mbante serenatë poshtë një dritareje.
-Moza ime, moj,
Jeta ime, moj…
Njerëzia që kaloni aty pari qeshnin si fillim. Më pas e tallën dhe në fund i shpjeguan.
-Asnjë Mozë nuk jeton këtu, o njeri. Ky kapanon, që ti po këndon, është magazina e patateve. Nuk është shtëpi.
Po i fiksuari s’dëgjonte, vazhdonte. Sapo binte mbrëmja ai te magazina këndonte e këndonte:
-Moza ime, moj,
Jeta ime, moj…