Zyrtare/ Mançester Junajtid transferon dy mbrojtësit nga Bajerni

Mançester Junajtid ka zyrtarizuar sot firmën me dy futbollistët, Matijs De Ligt dhe Nusair Mazraui, të cilët janë transferuar në klubin anglez nga radhët e Bajern Mynih.

Dy lojtarët ishin kërkuar me ngulm nga trajneri Erik Ten Hag, i cili i ka drejtuar ata në vitet kur ishte në pankinën e Ajaksit.

De Ligt ka firmosur një kontratë pesëvjeçare që do e shohë atë të jetë pjesë e klubit deri në vitin 2029, me mundësinë për ta zgjatur akordin edhe një tjetër vit.

Ndërsa kontrata e Mazrauit zgjat deri në vitin 2028, por gjithashtu me mundësinë e rinovimit të saj për një tjetër edicion.

De Ligt u transferua për 45 milionë euro në klubin anglez, me bonuse deri në 5 milionë euro të terja që do të vijnë në bazë të arritjeve individuale dhe të Mançester Junajtid në vitet në vijim. Ndërsa për Mazrauin u paguan 15 milionë euro plus një bonus i parashikuar prej 5 milionë eurosh.