SYRI TV/ Rama nuk ndal milionat për gruan e Toni Bler, 150 mijë euro në korrik për Arbitrazhin me Beketin

Qeveria Rama nuk ndal milionat ndaj studios ligjore të bashkëshortes së mikut të tij britanik, Tony Blerit. Në korrik të këtij viti, kryeministri i ka paguar 150 mijë euro të tjera, studios ligjore “Omnia Strategy” tëe Sheri Bler për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar me Francesko Beketin, duke shkuar deri tani fatura në 1.3 milionë euro. E teksa qeveria shqiptare është gjobitur nga Gjykata Ndërkombëtare me 130 milionë euro dëmshpërblim ndaj Beketit, kryeministri Rama jo vetëm refuzon ta paguajë, por vijon të rëndojë ekonominë shqiptare me këtë çështje duke paguar milion euro nëpër studio ligjore, ndërsa jane bllokuar edhe llogaritë e Albcontrol.

Nga SYRI TV

Kryeministri Edi Rama ka paguar në mes të korrikut të këtij viti 150 mijë euro të tjera zyrën ligjore “Omnia Strategy” të Sheri Blerit për shërbimet e ofruara në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku qeveria humbi përballë sipërmarrësit italian, Francesko Beketi.

Ministria e Financës ka kryer këtë pagesë në 10 korrik 2024, ndërkohë që fatura për studion e bashkëshortes së ish-kryeministrit britanik dhe mikut të Ramës, Toni Blerit, ka arritur deri më tani në rreth 1.3 milionë euro.Rama zgjodhi personalisht studion ligjore britanike “Omnia Strategy” për ta përfaqësuar në çështjen me numër ARB 15/22 në Gjykatën e Arbitrazhit të Bankës Botërore, ICSID, përballë ish-pronarit të televizionit “Agon Channel”.

Në atë çështje, qeveria shqiptare dështoi shumë rëndë dhe tashmë duhet që t’i paguajë Beketit rreth 130 milionë euro dëmshpërblim.

Rama dhe qeveria e tij kanë deklaruar se nuk kanë ndërment t’i japin asnjë kacidhe Francesko Beketit, ndërkohë që vijon pa ndërprerje pagesat për Sheri Blerin.

Kokëfortësia e Ramës ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta, sidomos në shoqërinë e kontrollit ajror, “Albcontrol”.

Një gjykatë në Bruksel ka vendosur të bllokojë të ardhurat që duhet të marrë Albcontrolli nga shoqëria europiane e fluturimeve, “Eurocontrol”, për përdorimin e hapësirës ajrore shqiptare, deri sa qeveria shqiptare të paguajë detyrimin ndaj sipërmarrësit italian.

Raporti financiar i audituesve të pavarur tregoi se, deri në fund të vitit 2023, vlera financiare në llogaritë e bllokuara të Albcontrol në Bruksel ka arritur në shifrën e mbi 100 milion euro.

Për shkak të këtij bllokimi, kompania shtetërore e fluturimeve ndërkombëtare u gjend në vështirësi ekzistenciale.

Qeveria u detyrua të ndryshojë në Parlament statusin e ‘Albcontrol”, duke e kthyer nga një kompani që menaxhohej nga të ardhurat e veta në një institucion të administratës.

Ky ndryshim statusi synonte që, më së paku, të siguroheshin të ardhurat e punonjësve.