Dështimi i turizmit/ Rama nis pushimet dhe sulmon mediat për plazhet bosh

Kryeministri Edi Rama njoftoi shqiptarët se ka nisur pushimet në Dhërmi.

Prej andej, ai sulmoi mediat dhe opozitën, të cilët kanë denoncuar dështimin e këtij sezoni turistik.

Përballë pamjeve të shumta të plazheve bosh, Rama publikoi disa shifra, pa cituar se cili ishte burimi i tyre.

Sërish ai u bazua te të dhënat e aeroportit, pa treguar të dhënat për hotelet dhe shtëpitë e pushimit në vend.

Po ashtu nuk dha asnjë të dhënë ekonomike për situatën nga turizmi.

“Mbrëmë mora shifrat, nga aeroporti kanë hyrë 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, e paimagjinueshme pak vite më parë. Për shifrat e aeroportit s’mund të thonë as gojët me qime të atyre që nuk pushojnë, u zbraz Shqipëria tani edhe nga turistët. Në vlerë absolute për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit,” tha Rama.