Shtyhet seanca për Fredi Belerin/ Avokati: Ky është urdhri i Edi Ramës
Seanca gjyqësore për Fredi Belerin, i cili kërkon lirinë me kusht, është shtyrë sërish në Gjykatën e Fierit.
Drejtoria e Burgut të Fierit paraqiti në seancë raportin e sjelljes për Fredi Belerin.
Avokati i Belerit, Eugen Gjyzeli kundërshtoi shtyrjen seancës, duke thënë se është urdhri i kryeministrit Edi Rama që ta mbajnë në qeli.
Në seancë ishte i pranishëm edhe Fredi Beleri, i cili zgjodhi të mos flasë, ndërsa tha vetëm se “nuk kam asgjë për të shtuar”.
Gjyqtari Alfred Konomi kërkoi dhe një raport vlerësimi nga shërbimi i provës. Seanca e radhës u la më 2 shtator ora 10:00.
Kërkesa e Belerit për liri me kusht vjen pas betimit të tij si eurodeputet në Parlamentin Europian.
Beleri shkoi në Strasburg pas lejes 5-ditore që mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ai ndodhet që prej muajit maj të 2023 pas hekurave dhe u dënua me 2 vite për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet lokale të 14 majit.