23 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, shuhen 19 prej tyre

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat për fat të mirë 19 prej tyre janë shuar e ndërsa 4 vijojnë të jenë aktive.

Ministria e Mbrojtjes njofton se zjarri vijon në “Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private”.

Vatra tjetër e zjarrit është regjistruar në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intesitet të ulët. Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati.

Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.

Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.

Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare.

Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.