Vazhdojnë zjarret në Tropojë, dërgohen për ndihmë trupat komando

Zjarri që ende po vazhdon të djegë shkurre dhe kullota pranë fshatit Zogaj të Tropojës nuk është arritur të shuhet as gjatë natës. Edhe një helikopter i KFOR po ndihmon në shuarjen e zjarrit, po tashmë është parë e nevojshme edhe ndihma nga forcat komando.

SYRI TV njofton se dje është punuar me kapacitetet e angazhuara në dy drejtime për izolimin e vatrave të zjarrit në Mahallën e Epërme dhe në veri të lagjes Hajdarmataj, në kodrat e Stobërtës të fshati Zogaj.

Si rrjedhim u arrit izolimi i vatrës së zjarrit në Mahallën e Epërme,  ndërsa vazhdon të jetë aktive vatra në veri të lagjes Hajdarmataj ku është drejtuar nga zona pyjore e Zherkës.

Sot janë angazhuar për izolimin e shuarjen e vatrave të zjarrit në rajonin e Zogajt, forca të armatosura, batalioni komando me 100 efektivë e 12 mjete, reparti ushtarak nr.1120, gjashtë zjarrfikës dhe një zjarrfikëse.

Në mbështetja kanë ardhur 7 zjarrfikës dhe 1 autozjarrfikëse nga Tirana, nga institucionet e bashkisë së Tropojës dhe komuniteti krahas një helikopteri të KFOR-it. Në total janë  165 forca, 2 autozjarrfikëse dhe 12 mjete transporti trupash.

Edhe sot do të duhet të aktivizohen trupat komando për t'u bashkuar kapaciteteve të bashkisë Tropojë.