S'duhet të trajtohemi më si Republikë Bananesh, siç u trajtuam nga administrata e Blinken
Ai që sot është në krye të regjimit është dhe autori i të gjitha të këqijave që e detyroi Shqipërinë të zbrazej, që shkatërroi në mënyrë të pa imagjinueshme kulturën politike në Shqipëri ,duke aplikuar politikën e njëmijë e një të zezave në të gjitha drejtimet.
Kulturën e intrigës, me të cilën ai solli në jetën tonë politike dhe shtetërore një risi , duke shfrytëzuar hapësirat e pambrojtura që ka krijuar si efekte anësore shoqëria globaliste e tij, e kanë futur Shqipërinë në një realitet autoritarist, ku kanë vënë në rrezik ekzistencial shumë procese vitale të lidhura me demokracinë, drejtësinë, marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonominë dhe integritetin territorial të vendit tonë.
Të gjitha drejtimet e cenuara rëndë duhet të jenë prioritete i rikthimit të tyre për ne sot. Por ajo që ka më shumë epërsi në këto kushte është vëmendja e shtuar që duhet të ketë opozita në raport me partnerët dhe miqtë tanë amerikanë përtej Atlantikut.
Lobimet e ndyra dhe intrigat e një organi të lindur për intriga, ndoshta unikal në histori, i kanë bërë një dëm të pallogaritshëm jo vetëm marrëdhënieve shqiptaro- amerikane, por sidomos demokracisë dhe pluralizmit në vendin tonë.
Ai që ditën e parë që erdhi në pushtet dha shenja të qarta se betejën kryesore e kishte jo me qeverisjen, por me ndalimin e opozitës. Opozita duhej të qorrohej me çdo kusht dhe mundësisht të shurdhohej nga cdo veprimtari që do kishte qeverisja. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar u shkatërrua një praktikë demokratike me axhendat dhe protokollet alias Edi Rama të qeverisjes. U zhduk nga protokolli takimi i çdo personalitetiti të lartë ndërkombëtar që do vizitonte Shqipërinë me faktorin opozitarë. Në një terren të tillë mbuluar me errësirë nga Edi Rama, regjimi filloi veprimtarinë antiopozitare të pushtetit.
Ka një uragan të pashembullt diskriminues ndaj eliminimit të rolit të opozitës shqiptare në një dekadë e ca të qeverisjes së këtij pushteti, sa që përpjekjet e paralizimit të saj arritën edhe disa rekorde të regjimit komunist në një periudhë kohe rreth 50-vjeçare.
Pothuaj të gjitha normat dhe parimet kryesore të cilat i siguronin opozitës barazi në veprimtarinë e saj pluraliste u zhbënë, duke e vënë në pikëpyetje rolin e saj jetikë për të kontrolluar qeverisjen dhe për të përpunuar alternativën e saj në një qeverisje të mundshme të fituar.
Ligjet e aprovuara më shumë fshehurazi , me dhunën e shumicës absolute, të fituar me zgjedhje të dhunshme, të blera dhe të manipuluara, u bënë prapavija e një politike për ta kthyer opozitën në fasadë të vërtet të gjoja mozaikut pluralist.
Por trinitia “non-grata” e Berishës, rrëmbimi i vulës së Partisë Demokratike nga pushteti dhe burgosja politike e kreut te opozitës mbeten tre digat më kryesore me anë të cilave regjimi i mbështetur nga një mafieje ndërkombëtare e pasur me para dhe influencë , i krijoi pasoja paralizuese veprimit opozitarë në Shqipëri.
As qe mund të mendohet kurrë , se pushteti në Shqipëri mund ta thyente rezistencën e një fryme opozitare të krahut konservator me tradita të theksuara historike, pa ndërhyrjen brutale të Departamentit të Shtetit në jetën tonë politike.
Kjo periudhë e vështirë me rrebeshe e bubullima represive ambasadorësh në një vend të vogël dhe me një traditë demokratike jo shumë të qëndrueshme, ka lënë gjurmë të thella në çdo qelizë të sistemit politik, ekonomik dhe demokratik.
Gjjthçka u krye vetëm me një synim kryesor, që në pushtet të mbetej miku i lobistit Xhorxh Soros , një miliarder klientelist ky i diskretituar i Shtëpisë së Bardhë sot, i cili e vizitonte adminstratën Biden, sa herë që vëllai i tij në Tiranë kishte kriza qeveritare, për shkak të skandaleve te drogës, korrupsionit dhe përfshirjes në jetën kriminale të vendit.
Por kam ende dhe sot rezerva për qëndrimin hezitues të shumë deputeteve të opozitës për tu përballur jo vetëm me kreun e regjimit ,por edhe me Sorosin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa ishte e dukshme se kryenin veprime kundra interesave të elektoratit të djathtë në Shqipëri. Është e bardha mbi të zezë, se nën ndikimin e qartë të Xhorxh Soros administrata amerikane e kohës ndërhyri brutalisht në jetën politike të Shqipërisë. Po pse s’po bëjnë edhe sot? Sepse kanë frikë?
E çfarë frike mund të kesh më tej nga një armik i sqaruar , që të shkatërron misionin?! Ambasada sovjetike e viteve 1960 për fat të keq është ringjallur në Tiranë me sjelljen e shumë ambasadorëve amerikanë që ndërhynë dhe bëjnë axhenda në veprimet e partive politike.
Nuk dua të komentoj më gjatë sjelljen politike të shumë deputetëve dhe ish-drejtuesve të PD ndaj diskriminimit të liderit të saj, sepse luftonte për demokraci dhe për parimet e saj. Vetëm lus sinqerisht që t’i përkasin së shkuarës dhe shpresoj shumë se kështu do ndodhë.
Por është momenti të zgjohemi. Po e përsëris, duhet të ngrihemi fort në këmbë.
Kemi të drejtën e madhe me vete. Por atë duhet ta ndriçojmë kudo. Kohët kanë ndryshuar. Amerika e vërtetë nuk është Amerika e sotme politike e cila ndërhyn pa të drejtë politikisht, me arrogance dhe pa asnjë shkak në vende si Shqipëria, ku shkatërron balancën social - politike në një mënyrë thellësisht dramatike.
Donal Trump është shembulli më lapidar i kohës moderne amerikane, e cila u përlesh demokratikisht me një Amerikë tjetër, që donte t’i ndërpriste atij lirinë e aspiratës politike.
Shembujt vlejnë. Dhe ky shembull vlen shumë për ne. Episodet e dhunshme të ish-ambasadores së errët Yuri Kim, ndërhyrja e padrejtë e Blinkenit kundrejt Sali Berishës, presionet me mesazhe të gabuara të Mathieu Palmerit , Filip Riker, Gabriel Eskobar duhet të denoncohen me kurajo, kudo dhe në të gjitha drejtimet, që nga shtypi, takimet dhe deri tek Kongresi Amerikan dhe Partia Republikane Amerikane.
Duhet lobuar energjikisht përtej Atlantikut. Kjo është shumë e rëndësishme sot për ne.
Vetë Amerika sot ka nevojë për këto të vërteta të hidhura të keq përdorimit të fuqisë amerikane, sidomos nga diplomatë të tipit të Yuri Kim e cila tentoi që të na ushqente me barë, siç bënë edhe sovjetikët disa dekada më parë.
Kritikat tona, ka ardhur momenti që të adresohen me emër dhe mbiemër. Lufta duhet bërë e drejtpërdrejt dhe jo duke përdorur formula komunikimi stereotipesh alla Lulzim Basha.
Kjo është një luftë, një luftë ndërmjet një diskriminuesi dhe një të diskriminuari dhe pa betejë të fortë nuk ka fitore.
Ne nuk jemi superfuqi, vend i vogël jemi, por kultura perëndimore që na lidh me raporte të përbashkëta demokratike dhe paqësore, nënkupton që të ndajmë vlera të përbashkëta respekti.
Kështu i shërbejmë më mire edhe vetes edhe demokracisë së madhe amerikane.
Ne nuk duhet të trajtohemi më tej si Republikë Bananesh, siç u trajtuam tmerrësisht nga administrata e Blinkenit, e cila për inerci po vazhdon ende me të njëjtën melodi, si dikur perandoria komuniste sovjetike e Stalinit dhe Hrushovit, kur diktonte tërë politikën e regjimit komunist të Tiranës, duke mos e konsideruar sovranitetin tonë kombëtar.
* Ndriçim Kulla është autor i librit “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. botuar nga Plejad, Tiranë 2017.