Shehu: Memaliaj, nën terrorin e krimit
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Memaliaj, me tre viktima dhe një të plagosur rëndë. Teksa e cilëson këtë qytet nën terrorin e krimit, ligjvënësi demokrat thotë se ngjarja, është dëshmi e ‘lulëzimit’ të krimit, mosfunksionimit dhe shkatërrimit të rendit e ligjit në vend. Shehu bën thirrje për shembjen e një regjimi të kapur sipas tij nga mazhoranca, përmes rivendosjes së drejtësisë dhe rikthimit të dinjitetit të qytetarëve
Postimi i plotë
Memaliaj, nën terrorin e krimit!
Përsëri vrasje e plagosje të rënda sot në Memaliaj.
Plumbat e kriminelëve i marrin jetën edhe qytetarëve rastësore, veçse ndodheshin në ambientet publike.
Keqardhje e ngushëllimet me të sinqerta!
Dëshmi kjo e “lulëzimit” të krimit, mosfunksionimit e shkatërrimit të rendit e ligjit.
Që e ka zanafillën prej kanabizimit të atyre hapësirave, me pasojë dominimin e terrorit kriminal.
Kanabizim i nxitur, organizuar e përdorur nga kjo Rilindje, që ka krijuar një zinxhir veprash kriminale, në rritje e konsolidim këto, së bashku me forcimin e kriminalitetit.
Vepër kjo e ketij regjimi, që veçse ka varfëruar e skllavëruar fshatarët e ndershëm, terrorizuar ata banorë plot vlera, jo vetëm te Memaliajt por dhe të Tepelenës e me tej në Qark.
Pasojë këto e një shteti, që duke qenë pjesë e krimit, kanabizimit, trafiqeve, tashti është krejt i pafuqishëm të ndalojë revanshin e tyre.
I një shteti të dështuar sepse është vetë nën pushtetin e kriminalëve, të cilet sillen si pronarë të tij.
I një shteti të një regjimi të kapur, që duhet shembur sa më parë për të rivendosur drejtësinë, liritë, vlerat e dinjitetin e qytetarëve.