SYRI TV/ Dita e Ashures për besimtarët bektashinj, Kryegjyshi i Bektashinjve uron besimtarët

Këtë të mërkurë besimtarët bektashinj kanë festuar Ditën e Ashures.

Një ceremoni në nder të kësaj dite të rëndësishme për Bektashizmin, u mbajt në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u bë edhe shpërndarja e ashureve, simbol i sakrificës së dëshmorëve të Qerbelasë.

Me rastin e Ditës së Ashures, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tregoi historikun e kësaj ngjarjeje me rëndësi për besimtarët bektashinj, teksa përcolli edhe urimet e tij.

Ndërsa në pritjet zyrtare që u zhvilluan me rastin e kësaj dite, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili teksa përcolli urimet e tij, u ndal në çështjen e kthimit të pronave te komunitetet fetare.

Për 10 ditë besimtarët Bektashinj mbajtën zi për dëshmorët e Qerbelasë, duke i përkujtuar ata që luftuan për paqe e liri dhe besimin në një Zot të vetëm. Ashurja, është një rit tradicional bektashian, që përkujton heroin e Qerbelasë, Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e tij që u vetëflijuan për mbrojtjen e idealeve të jetës.