‘Hapini sirtarët me radhë‘, mënyra e Napoleonit për të qenë më të zgjuar dhe më të suksesshëm

Dëshironi të jeni më të përqendruar dhe produktivë? Përpjekja për të kryer shumë detyra është e paefektshme. Çelësi është të përqafosh përpunimin serial, ose atë që Napoleoni e quajti ‘hapjen dhe mbylljen e sirtarëve një nga një’.

Një numër studimesh tregojnë, se kryerja e shumë detyrave ju bën më pak efikasë dhe produktivë.

Studime të tjera tregojnë se kryerja e shumë detyrave në fakt ju bën budallenj; një studim i publikuar në New Atlantic zbuloi se kryerja e shumë detyrave ul koeficientin e inteligjencës (IQ) me rreth 10 pikë.

Kjo është arsyeja pse njerëzit produktivë përqendrohen për të bërë një gjë në një kohë, pra t’i kryejnë detyrat me radhë.

Ata nuk bëjnë punë paralele, duke menduar për më shumë se një gjë në të njëjtën kohë.

Pjesërisht kjo është për shkak se është e pamundur, aq sa ne duam të mendojmë se mundemi, të bëjmë një proces paralel.

Siç shkruajnë Adam Gazzaley dhe Larry Rosen në “The Distracted Mind: Ancient Brains in a High-Tech World”, “Kur ne ndjekim njëkohësisht qëllime të shumta, që konkurrojnë për burimet e kontrollit, truri ynë kalon midis detyrave – nuk e bërë procesimin paralel të tyre.”

Pra, po, ju mund të jeni duke punuar në dy gjëra në të njëjtën kohë, por jo në të vërtetë.)

Por, kryesisht kjo është për shkak se njerëzit produktivë përqafojnë – në fakt, mbështeten tek – fuqia e përqendrimit.

Marrim shembullin e Napoleonit dhe dollapëve të mendjes.

Sigurisht, të jetosh vitet e tua të fundit si i burgosur në një ishull të izoluar, nuk është një përkufizim i mirë i “të qenët produktiv” ose i “suksesshëm”, por, gjenerali Napoleon Bonaparte riformësoi përkohësisht hartën e Europës dhe e shndërroi përgjithmonë peizazhin ligjor, politik dhe kulturor të kontinentit.

Siç shkruan Andrew Roberts në “Napoleon: A Life”:

“Napoleoni ishte në gjendje ta ndante jetën e tij në një shkallë mjaft të jashtëzakonshme, shumë më tepër se shumica e njerëzve të shtetit dhe udhëheqësve të mëdhenj. Ai mund të mbyllte plotësisht një pjesë të mendjes së tij, ndaj asaj që po ndodhte në pjesën tjetër të saj; ai vetë e krahasoi atë me aftësinë për të hapur dhe për të mbyllur sirtarët në një dollap.”

Në prag të betejës, ndërsa ndihmësit e kampit vinin dhe po largoheshin me urdhra për marshallët e tij dhe raporte nga gjeneralët, ai mund të diktonte mendimet e tij për krijimin e një shkolle vajzash dhe pak pasi pushtoi Moskën, përpiloi rregulloren e Comedie-Francaise (teatrin shtetëror francez).

Ndërsa kjo tingëllon më shumë si mungesë vëmendjeje sesa përqendrim, mbani në mend se Napoleoni, ashtu si ju, kishte shumë gjëra që po ndodhin në të njëjtën kohë.

Për më tepër, Napoleoni nuk po përpiqej të kryente procese paralele.

Sipas një prej ndihmësve të tij, stafi i tij admironte aftësinë e jashtëzakonshme “për të hequr ose për të fiksuar tërë forcën e vëmendjes së tij në çdo gjë që i pëlqente”.

Vetë Napoleoni e krahasoi aftësinë e tij për t’u shkëputur nga gjërat e tjera përreth dhe për t’u përqendruar me një ‘dollap mendor’:

“Tema të ndryshme dhe punë të ndryshme janë rregulluar në kokën time si në një dollap. Kur dua të ndërpres një grup mendimesh, e mbyll atë sirtar dhe hap një tjetër. Dëshiroj të fle? Thjesht mbyll të gjitha sirtarët dhe ja ku jam – në gjumë.”

Mund të duket e pamundur, megjithatë mund të bëhet. Siç shkruajnë Gazzeley dhe Rosen, “Nëse një ose më shumë detyra mund të automatizohen si reflekse, atëherë ato mund t’i bashkohen me lehtësi një detyre tjetër.”

Kjo është arsyeja pse dikush mund të mendojë për një libër që po shkruan, ndërsa po bën një punë fizike.

Kjo është arsyeja pse dikush mund të mendojë për një fjalim që do të mbajë, ndërsa palos rrobat.

Kjo është arsyeja pse ju mund të organizoni dhe të peshoni të mirat dhe të këqijat e një linje të re produktesh, ndërkohë që rregulloni tavolinën e punës.

Detyrat e thjeshta fizike, që kërkojnë pak ose aspak mendim, nuk shpërqendrojnë. Në fakt, siç tregojnë disa studime, kryerja e detyrave të pakuptimta, mund të rrisë nivelin e krijimtarisë dhe inovacionit.

Nëse ‘hapni një sirtar’ për të bërë diçka për të cilën nuk keni pse të mendoni, atëherë mund të ‘hapni edhe një sirtar tjetër’.

Por, nëse jeni duke bërë diçka që kërkon mendim dhe përkushtim, diçka që është e rëndësishme, diçka që ka rëndësi? Hapni vetëm atë sirtar. Dhe mos hapni një tjetër, derisa të keni mbyllur të parin.