VIDEO/ RENEA futet nga kangjellat, dorëzohet i moshuari që qëllonte me armë
Është dorëzuar Edmond Naska, i moshuari që qëllonte me armë nga ballkoni i banesës së tij në Korçë.
Siç edhe duket në pamje, RENEA ka shkatërruar kangjellat e ballkonit dhe është futur brenda, duke e neutralizuar të moshuarin.
Policia e Korçës
RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se:
Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.
]