'Gjermania mbështet Kosovën, por a mjafton kjo?'

Shënim nga Bahri Cani, gazetar i DW 

Gjermania mbështet heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, thuhet në reagimet e fundit nga Ambasada gjermane në Prishtinë. Por heqjen e masave duhet ta mbështesin të gjitha vendet anëtare të BE, dhe këtu qëndron problemi kryesor, pasi që në BE janë edhe Spanja, Sllovakia dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën.

Në fillim askush nuk e ka besuar që masat ndëshkuese do të zgjatin për më shumë se një vit, për shkak të përshkallëzimit të situatës të sigurisë në veri të vendit. Por po shihet shumë qartë se masat janë vendosur tepër me lehtësi, ndërsa tani është vështirë të hiqen. Tani madje edhe vetë shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell ka kërkuar pezullimin e masave. Por nuk duhet harruar që vetë Borrell ishte ndër ata që ka kërkuar këto masa. Borrelli së shpejti do të zëvendësohet me Kaja Kallas, që ka qëndrime shumë më racionale ndaj Ballkanit Perëndimor. Por pasojat e politikës së tij do të ndihen edhe për goxha shumë kohë.

E për ata që mendojnë se këto masa (që dikush i quan sanksione) janë pak të rëndësishme, t'ju kujtoj se ato përfshijnë: Suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Në veçanti përjashtimi i Kosovës nga disa iniciativa është tepër i dëmshëm, sepse Kosova është suspenduar edhe nga programimi i fondeve për këtë vend, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Shpresojmë që Gjermania të ushtrojë më shumë presion, por fakt është që nga qeveria kërkohen edhe gjëra që kanë të bëjnë me marrëveshjen me Serbinë, në radhë të parë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe...