Qeveria e Kosovës lanson projekt për investime nga mërgata

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), lansoi projektin “Dritarja për Investime të Diasporës”, i cili synon të sjellë investime të mërgatës në Kosovë.

“Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën nga investitor pasiv në investitor aktiv”, tha kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të projektit, të martën në Prishtinë.

Përmes këtij projekti, tha ai, mërgata do ta ketë më të lehtë aplikimin për kredi për investime në Kosovë.

“Do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa e tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Mërgata jonë do t’i sjellë aftësitë, mundësitë dhe kulturën e punës nga vendet ku jeton aktualisht”, tha Kurti.

Derisa nuk u dhanë shumë detaje se kur do të nisë projekti dhe për sa kohë do të jetë i hapur, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se “ideja ka qenë që të krijohet një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, i mbështetur me kapital shtesë nga Qeveria e Kosovës, do të mundësojë garantimin e kredive”.

Në lansimin e projektit ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se ai do t’i sjellë në vend praktikat më të mira nga diaspora.

“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, përmes mbështetjes financiare dhe teknike të USAID-it, sepse ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora paraqesin. Kur diaspora kthehet në vend, ajo sjell më të mirën në Kosovë”, tha Hovenier.

Numri i saktë i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk dihet ende, por pritet të qartësohet në fund të vitit, kur të publikohen të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, që u bë në pranverë.

Përndryshe, diaspora e Kosovës luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes dërgimit të remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.

Në vitin 2023, remitancat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan shifrën prej 1.3 miliard eurosh, ndërsa në vitin 2022, vlera e remitencave ishte 1.22 miliard euro./REL