Qeveria i dërgon komentet në Bruksel më 18 korrik mbi zbatimin e marrëveshjes

Qeveria e Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim në Bruksel mbi dokumentin e planit të sekuencimit brenda kohës së paraparë më 18 korrik. Kështu bëri të ditur këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.

Në një përgjigje për RTV21 Kadiu fajëson Serbinë për mos gatishmëri të zbatimit të marrëveshjes. Por, opozita kritikon Qeverinë për mos gatishmëri të zbatimit të obligimit të cilat, sic thonë, Kurti i kishte pranuar në Bruksel dhe në Ohër. Analistët vlerësojnë se procesi i dialogut është bllokuar. Kërkojnë ndërprerjen e tij deri në rimodelim të formatit.

Qeveria e Kosovës do t’i dërgojë së shpejti komentet e saj për rrugën e zbatimit të planit të sekuencimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Zyrtarë të Qeverisë thanë se do t’i përgjigjen kërkesës së lehtësuesve evropianë për komentet sipas pajtimit nga një takim i fillimit të korrikut ndërmjet kryenegociatorëve. Një këshilltar i kryenegociatorit të Kosovës, Klisman Kadiu, në një përgjigje me shkrim për RTV21, ka fajësuar Serbinë për mos gatishmëri të zbatimit të pikave të marrëveshjes.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak. Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, tha Kadiu për rtv21.

Por, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se nuk sheh vullnet të Qeverisë për ta zbatuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij kryeministri Kurti ishte zotuar në prani të ndërkombëtarëve në Bruksel dhe në Ohër se do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, ndërsa tani po kërkon nënshkrimin e saj.

“Nëse zoti Kurti në Shkurt dhe në Mars të 2023 i ka thënë po marrëveshjes së Brukselit dhe tash po e kërkon nënshkrimin. Pse nuk ka kërkuar në Ohër nënshkrim, as në Bruksel nuk ka kërkuar nënshkrim. Nëse ai nuk e ka kushtëzuar sulmin dhe aktin agresionit në Banjskë, nëse ai nuk ka ndërmarrë hapa të tjerë, është absurde që tash të qes kushte. Dmth nuk ka vullnet prej Kosovës për ta zbatuar marrëveshjen”, tha Hoxhaj.

Mirëpo, deputetët e partisë në pushtet thonë se institucionet e Kosovës janë të zotuara për zbatimin e obligimeve ndërkombëtare.

Gazmend Gjyshinca, deputet i VV-së tha se megjithatë është në duart e ndërmjetësve që ta përcaktojnë mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve.

“Të gjithë ne që angazhohemi në politikën e jashtme e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë. Ne e respektojmë atë për të cilën jemi zotuar në marrëveshjen e Brukselit dhe draftit të Ohrit. Ky është qëndrimi ynë, ky do të vazhdojë të mbetet qëndrimi ynë. Ne presim që të ketë një ridanimizim të këtij procesi. U mbetet ndërmjetësve se si të të zbatohet marrëveshja”, tha Gjyshinca.

Ndërkohë, analistët politik kanë vlerësime të ndryshme sa i përket qasjes që kanë palët në proces të dialogut. Arta Tahiri, vlerëson se si pala kosovare dhe ajo serbe nuk po tregojnë gatishmëri për të zbatuar pikat e marrëveshjes bazë. Sipas saj, nëse procesi i dialogut vazhdon të ketë këtë intensitet të dobët dialogu nuk do të prodhojë asnjë rezultat konkretet pavarësisht angazhimit të Bashkimit Evropian.

“Tashmë duhet kuptuar se Serbisë duhet t’i vendosen sanksione të cilat e bëjnë të reflektojë rreth vendimeve dhe marrëveshjeve për të cilat ajo është zotuar se do t’i zbatojë në proces të dialogut. Gjithashtu kemi edhe palën kosovare e cila nuk ka një qëndrueshmëri të vendimeve të veta sa i përket zbatimeve të marrëveshjeve për të cilat ka rënë dakord me BE-në. Mendoj se është një mesazh i qartë për BE-në se nuk duhet të vazhdohet në një format të tillë ku rezultatet janë të pakta”, tha Tahiri.

Përpjekjet e Bashkimit Evropën për zhbllokimin e procesit të dialogut nuk arritën rezultate për shkak se një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq kishte dështuar, ndërsa ai midis kryenegociatorëve kishte përfunduar pa ndonjë rezultat konkret.