Kosovë, biznesi i vogël pëson rënie si pasojë e temperaturave të larta

Të premten, temperaturat në kryeqytetin e Kosovës arritën në 36 gradë Celsius, duke i detyruar banorët e Prishtinës që të qëndrojnë brenda në shtëpitë e tyre. Kjo valë nxehtësie ka bërë që rrugët dhe baret e Prishtinës të boshatisen.

Një valë e nxehtë ka bërë që temperaturat të arrijnë nivele të larta në pjesë të ndryshme të Evropës qendrore dhe jugore. Moti i nxehtë në Kosovë ka bërë që shumë më pak njerëz të frekuentojnë baret dhe restorantet, duke dëmtuar biznesin e vogël.

“Për momentin është shumë vapë, sidomos gjatë ditës kur temperaturat rriten. Kjo po e dëmton shumë biznesin sepse njerëzit nuk dalin jashtë në këtë vapë”, thotë Migjen Dema, pronar i një lokali në Prishtinë.

Meteorologu Mendim Rugova thotë se që nga vitet 1980, temperaturat në Kosovë janë rritur mesatarisht me 2.5 gradë Celsius. Ai tha se vala aktuale e të nxehtit mund të zgjasë deri në fund të korrikut.