VIDEO SYRI TV/ Zbulohet varri monumental në Parkun e Amantias, është përdorur për varrime nga shek I-II

Një ekip arkeologësh dhe restauratorësh zbuluan një varr monumental në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias. Mendohet sa ai është përdorur për varrime nga shekulli i I deri në shek. II të erës sonë. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.

Nga SYRI

Gërmimet në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh kanë zbuluan një varr monumental.

Vendndodhja e varrit është në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, në buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë në Bashkinë Selenicë. Varri u zbulua gjatë gërmimeve të një ekipi arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, dhe nga rezultatet paraprake mendohet sa ai është përdorur për varrime nga shekulli i I deri në shek. II të erës sonë.

Brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Ajo që bie në sy është suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.

Ekzistenca e këtij varri, është pretenduar edhe gjatë gërmimeve arkeologjike të të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.

Për shkak të nevojës, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, në monument u bënë ndërhyrje restauruese, hapje të plotë e sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujërave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij. Përveç këtyre masave paraprake të konservimit, po hartohet  edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin.