Shumica e plazheve mbeten bosh/ Cika: I është kushtuar rëndësi marketingut online, duke harruar profesionalizmin

Gazi Cika (sipërmarrës i kampit Cika) në Borsh nga studioja e 'Kafe Shqeto' në Syri Televizion u shpreh se fatkeqësisht ulja e numrit turistëve që vizitojnë Shqipërinë ka ardhur fill pas ikjes së pandemisë si shkak i rritjes së çmimeve dhe mosprofesionalizmit të treguar.

 “Të mos menduarit gjatë se një x person flet për atë që sheh kur shkon në vendin e tij ka bërë që t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë marketingut online dhe nuk jemi përshtatur fare me marketingun e fjalës”- u shpreh Cika.

Deklarata e tij:

“Ideja është që unë kam një sipërmarrje që kostot i ka shumë të ulëta dhe ne e vetëmenaxhojmë duke harxhuar kohën dhe energjitë thjesht për të nxjerrë diçka që mund të na mbajë edhe gjatë vitit.

Por, kjo që po ndodh sot dhe kjo tkurrje gjatë vitit bën që plazhet të jenë bosh, disa janë plot, disa janë bosh e më bosh dhe ideja është e tillë që ky fenomen nuk ka ardhur sot.

Ky fenomen ka ardhur fill edhe pas ikjes së pandemisë si shkak i çmimeve, mosprofesionalizmit, të mos menduarit gjatë se një x person flet për atë që sheh kur shkon në vendin e tij dhe kemi menduar vetëm për marketingun online dhe nuk jemi përshtatur fare me marketingun e fjalës.

Pra një suedez, italian apo dikush tjetër të thotë që shiko unë vizitova rivierën këtë vit, por vitin tjetër do shkoj në Shqipëri të vizitoj lindjen ose veriun, nuk ndodh.

Këtë gjë unë e shikoj kështu për arsye se njerezit po dalin shumë të pakënaqur kryesisht nga jugu dhe plazhet po i bëjnë në vende shumë herë më të qeta apo të lira.

Klea Sula/ Syri.Net