Osmani takim me Blinken: Aleanca me SHBA-në gurthemel për stabilitetin global

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës .

Në një shkrim në Facebook, Osmani tha se aleanca me SHBA-në nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global.

“Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka shkruar Osmani.

Osmani po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA, me ftesë të ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.

Presidentja pritet të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.