BIK-u thirrje Komunës së Prishtinës të ruajë monumentet historike-fetare

Nënkalimi në rrugën ‘’Agim Ramadani’’, i premtuar nga i pari i komunës së Prishtinës është refuzuar nga Ministria e Kulturës.

Kjo, pasi sipas këtij institucioni, ndikon negativisht në asetet e trashëgimisë kulturore dhe në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë arkeologjike e arkitektonike të zhvillimit të qytetit.
Si projekt momentalisht është pezulluar.

E nga Komuna e Prishtinës nuk e shohin të arsyeshëm përgjigjen e Ministrisë.

“Të gjitha përgatitjet Komuna e Prishtinës i ka bërë, qoftë me analizën teknike, profesionale, me projektin në tërësi, me zgjidhjet urbane që do të ofrohen dhe e gjithë kjo punë dhe i gjithë ai volum i dërguar i dokumentacionit të kthehet mbrapsht me një vendim një faqësh vërtet lë për të dëshiruar”, ka thënë zëdhënësi Donat Lushaku.

Megjithatë kjo zonë konsiderohet e ndjeshme për punime.

“Legjislacioni në fuqi përcakton perimetrin i cili varësisht prej natyrës së llojit të monumentit është 50 – 100 metra në kuadër të të cilave nuk mund të zhvillohen punime për faktin që të njëjtat mund të rezultojnë me rrezikimin e monumenteve të tilla. Prandaj vlerësoj dhe rekomandoj që Komuna e Prishtinës do duhej me i pasë parasysh këto situata”, thotë avokati, Ardian Bajraktari.

E nëse ky projekt realizohet, Prishtina do ta humbë një nga monumentet kryesore të trashëgimisë shpirtërore.

Andaj, nga Bashkësia Islame e Kosovës kërkojnë të mos preken themelet e xhamisë së Çarshisë, por as të xhamive tjera dhe po ashtu as të monumenteve kulturore.

“Nuk mund të atakojë Xhaminë e Çarshisë, Muzeun e Kosovës, Xhaminë e Jashar Pashës, Ndërtesën e Akademisë së Shkencave e Xhaminë e Madhe. Një gjë e tillë për ne është e papranueshme, po besoj është e papranueshme edhe për institucionet tjera. Bashkësia Islame do të bëjë çmos që ta ruajë atë si objekt të vetin, si objekt të trashëgimisë dhe të kulturës sonë”, thotë Ramadan Shkodra nga BIK.

Përveç shkarkimit të trafikut, sipas komunës, përmes ndërtimit të këtij tuneli synohet edhe lidhja e shesheve qendrore të qytetit, “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe Ibrahim Rugova” me pjesën e qytetit të vjetër.