Konvertimi i patentës së shoferëve në Kosovë, që nga 9 maji numërohen 2294 kërkesa

Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar procesi për aplikimin për konvertim të patentë shoferëve, nga ata ilegalë serbë, në patentë shoferë të Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin  e veriut, Veton Elshani, ka thënë se vetëm gjatë ditës së sotme janë dorëzuar 121 kërkesa të tilla.

Që nga fillimi i këtij afati, më 9 maj, në të gjithë vendin janë parashtruar 2294 kërkesa për konvertim nga ana e qytetarëve serbë.

Prej dy muajsh, më së shumti kërkesa për konvertim ka pasur në Mitrovicë të Veriut – 621.

Më pas në Leposaviq, 598 kërkesa, si dhe në Zveçan – 394 kërkesa.

Numri më i vogël i kërkesave është parashtruar në komunën e Zubin Potokut: 328.

Të gjithë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës kanë kohë deri më 9 gusht të konvertojnë patentë shoferët ilegalë, në ata RKS.