Vrasja e vëllezërve Bytyqi, SHBA: Serbia të vendosë përgjegjësit para drejtësisë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar drejtësi për tre vëllezërit nga Kosova, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, në 25-vjetorin e vrasjes së tyre.

Duke e quajtur vrasjen e tre vëllezërve gjatë kohës që po mbaheshin në paraburgim nga policia e Serbisë si “akt brutal”, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se autorët e tij vazhdojnë të jenë të lirë.

Pas deklaratës së zyrtarit të lartë amerikan ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë në “X” se askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë krim të kryer.

Kurti ka kërkuar që të marr fund epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme të Serbisë. Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të batalionit Atlantiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte i përbërë nga shqiptaro-amerikanë që shkuan për të luftuar më 1999 në Kosovë.

Tre vëllezërit që kishin lënë SHBA-në për të luftuar në Kosovë, u vranë në paraburgimin e policisë serbe më 1999.