Alizoti akuza të forta Ramës: Është udhërrëfyesi i kartelit meksikan të drogës

Deputeti demokrat Tomorr Alizoti ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Nga studio e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se kreu i qeverisë shqiptare është udhërrëfyesi i kartelit meksikan të drogës. Sipas tij nëse shoqëria shqiptare nuk bashkohet, Rama është tmerrësisht i rrezikshëm.

“Nëse Shqipëria nuk merr pjesë në këtë lëvizje, Rama në Shqipëri është tmerrësisht i rrezikshëm, ka ndërtuar rrugë të linjave të drogës nga Amerika Latine. Ju nuk e keni idenë se çfarë është Karteli Sinaloa? Karteli Sinaloa është ushtri është CIA, FBI e DEA dhe nuk ia del dot me të. Është super e rrezikshme me para e financa. Dhe ajo ka njerëz nga Shqipëria që sjellin pare dhe imagjinoni në ç’linjë të rrezikshme kemi hyrë dhe udhërrëfyesi i kësaj gjëje është kryeministri. Nuk e mund dot vetëm opozita me kandidatin më të mirë. Nëse njerëzit nuk mobilizohen, ta ngremë të gjithë së bashku dhe të shpëtojmë vendin. Kur mafia kombinohet me politikën bëhet e pathyeshme. Sot pushteti është më i rrezikshëm se në kohën e Enver Hoxhës. Ky njeri  ka kombinuar paratë e mafies pushtetin e tij dhe varfërinë e popullit”.

Duke folur për zgjedhjet në Himarë, ai tha se PD do të dalë shumë shpejt me një qëndrim zyrtar, por sipas tij kjo nuk është betejë vetëm e një partie por e gjithë shoqërisë shqiptare.

“Opozita do ta japë shumë shpejt qëndrimin e saj zyrtar, por për mua kjo është pak e rëndësishme se ky është një regjim dhe në këtë regjim këta bëjnë dhe lënë ç’të duan. Ai akoma nuk e ka marrë mandatin dhe këta ia hoqën mandatin. Zoti Beleri as u betua, as nuk bëri ndonjë akt të tillë që t’ia hiqnin këtë mandat. Është një opozitarizëm i gjithë shqiptarëve kundër një njeriu të rrezikshëm që është Rama. Në gusht nuk ka zgjedhje. Nuk është vetëm betejë e një partie, është betejë e gjithë shoqërisë shqiptare. Do të ketë demokraci do të ketë pluralizëm, apo do të ketë autokraci me lobizëm e mafie brenda? Ka një me logo që është PD dhe një shoqëri e madhe që është spektatore”.

Akuza ngriti edhe ndaj kandidatit socialist për Himarën Vangjel Tavo, që sipas Alizotit, i akuzoi socialistët për vjedhje votash dhe sot bashkohet me ta. Ndërsa presidentin e cilësoi qesharak.

“Shqipëria është shtet i personalizuar i zotit Rama. Nuk është shtet, por autokraci e mirëfilltë, ku epshi i tij sundon mbi gjithçka. E gjithë teknika proceduriale, ligjore e politike është në funksion të kryeministrit. Kjo do të na hapë probleme edhe në PE. Edhe një kandidat si Tavo, i cili ka akuzuar tërë kohën që i kanë vjedhur votat bashkohet me ata që i kanë vjedhur votat. Kjo tregoi që edhe presidenti u kthye në njeri qesharak”.