Banka e Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit në 3%, reflektimi te kreditë

Ditën e sotme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi, të ulë me 0.25 % normën bazë të interesit.

“Informacioni i ri sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit 2024, me norma të përafërta me ato të vitit të shkuar. Treguesit e disponuar nga sektori real dhe ai financiar sugjerojnë se rritja ekonomike ka vijuar të udhëhiqet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga zgjerimi i sektorit të turizmit. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave ka shënuar rënie, ndërsa sektori publik vijon të ndjekë një politikë fiskale konsoliduese, të materializuar në nivele relativisht të larta të suficitit buxhetor.”, tha Guvernatori i BSH, Gent Sejko. Gjithashtu ai theksoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.

Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

-të ulë normën bazë të interesit, nga niveli 3.25% në nivelin 3.0%;

-të ulë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.0%;

-të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4.25% në nivelin 4.0%.